Aktualitet Sport

Ministri Balla: Portat e sigurisë në stadiume, prej tani përgjegjësi e Policisë së Shtetit!

12 mijë tentativa për bileta false janë konstatuar për ndeshjen e kombëtares shqiptare me Poloninë për EURO 2024-ën. Kjo bëhet e ditur nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili theksoi se “çdo dokument fals është vepër penale”, ndërsa informoi se tashmë portat e sigurisë në stadium do të jenë përgjegjësi e Policisë së Shtetit.

Ndaj ndeshjes me Poloninë pati 12 mijë tentativa për bileta false. Çdo qytetar ta ngulisë mirë në mendje se çdo dokument fals është vepër penale. Kur zbulohet me biletë false duhet të shoqërohet në Polici e të nisë hetimi penal. Ne i kemi mundësitë të evidentojmë në gjithë 22 mijë e 217 ulëset në stadium, evidentimin e emrit dhe përgjegjësisë. Çdo tifoz që do ndjekë ndeshjen me Çekinë, ta ketë të qartë që ne dimë kush është ulur në atë ndenjëse dhe përgjegjësinë që ka. Nga pamjet filmike të sistemit kuptohet qartë kush u përfshi në incidente e do të mbajë përgjegjësi penale.

Nisur nga raportimet që bëri Policia e Shtetit dhe FSHF pas analizës së eventit sportiv mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj polake, disa nga konkluzionet janë me vend e duhet të ndiqen nga të dyja institucionet. Gjej rastin ta përgëzoj FSHF-në për vendimet e Komisionit të Disiplinës për përjashtimin nga pjesëmarrja në aktivitete sportive të personave që hodhën materiale në fushë apo përdorën flakadanë në ndeshjen me Poloninë.

Balla tha se nga pamjet filmike që u vunë në dispozicion, kuptohet qartë kush ishin personat e përfshirë dhe që do të mbajnë përgjegjësi penale.

Nëse afrohen në stadium për ndeshjen e radhës, Policia do t’i shoqërojë për thyerje të vendimit administrativ. Po të njëjtat penalitete, për kundravajtjet për të gjithë stjuartët që kanë lejuar të hapet porta e sigurisë, që të hyjnë dhe të papajisur me biletë në Air Albania. Por, këtu duhen nxjerrë dhe përgjegjësitë e punonjësve të Policisë që ishin prezent e duhej të kishin ndërhyrë.

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka u shpreh se për ndeshjet e ardhshme kanë biseduar të përdorin të njëjtin sistem që përdor UEFA.

Shpresoj do ta arrijmë dhe ai i eliminon të gjitha këto probleme. Nuk është se kemi patur përvojë të madhe me këtë sistem, tani kemi filluar, tani kanë dalë problematikat më të shumta.