Aktualitet Politikë

Miratohet Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin/Votat nga PS-ja!

Me votat e maxhorancës, u miratua Komisioni i Posaçëm për Dezinformimin ndërsa opozita kërkoi më shumë kohë. Propozimin e PS-së lidhur me ngritjen e tij, sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, deputeti Agron Gjekmarkaj e cilësoi “tentativë për të spostuar diskurin politik nga aferat e qeverisë”.

Kjo është një tentativë për të zhvendosur diskursin politik nga aferat e qeverisë. Por, përtej kësaj, ky propozim është problematik. Vjen si një tentativë e dytë për të ndërhyrë në lirinë e medias. Vjen pas dështimit të paketës antishpifje, një paketë që u kundërshtua fort nga ndërkombëtarët. Ngjan me atë që ka ndodhur në Turqi. Mbi fjalën demokraci u bë dhunimi më i fortë i shtyllave të demokracisë. Duhet një reflektim dhe një kujdes i madh.

Por, shefi i grupit socialist, Bledi Çuçi, tha se fokusi është koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin e format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Më vjen keq që kolegët e opozitës shohin me paranojë çdo nismë të maxhorancës. Por, ky nuk është rasti. Për shkak të zhvillimeve në botë, vlerat e demokracisë perëndimore janë më të kërcënuara. Dezinformimi është një nga instrumentat që po përdoret gjerësisht për të cënuar vlerat demokratike. Këtë nuk e themi ne, por e thotë gjithë bota perëndimore. PE-ja pati një rezolutë dhe një komision të posacëm për këtë punë. Ky nuk është një mekanizëm për qëllimet tona të brendshme politike, prandaj këtu duhet të jemi bashkë.

Ngritja e këtij komisioni është e domosdoshme. Do të bëjë një analizë të plotë të situatës. Mendoj se nëse ky Parlament do të ketë një komision ku ne duhet të jemi në sinkron, është ky komision ku duhet të japim një analizë të detajuar se në cilin nivel ka shkuar ndërhyrja e këtyre vendeve. S’mund të jemi ne imunë kur nuk janë SHBA-të apo vendet e BE-së. Eshtë në nderin tonë ta adresojmë sa më parë. Jam i bindur se ju do i bashkoheni këtij komisioni.

Gazment Bardhi kërkoi shtyrjen e kërkesës së PS-së për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin. Po ashtu, Bledi Çuçi iu përgjigj shqetësimeve të deputetëve të opozitës, Flutura Açka e Jorida Tabaku.

Duke iu referuar marrëveshjes me SHBA-të, të cilës iu referua zonja Tabaku, ne nuk kemi detyrime, por marrim iniciativa dhe i sjellim në Parlament.  Fakti që jemi vonë, nuk duhet të na bëjë të vonojmë më tepër. Objekti i këtij Komisioni të Posaçëm do të hyjë të paktën në termat e 4 komisioneve të tjera parlamentare( Komisioni i Jashtëm, Ligjet, Siguria Kombëtare dhe Edukimit).

Me afat 1-vjeçar sepse fusha e veprimit e këtij komisioni është shumë e gjerë. Ekzaktësisht, ky komision do të marrë në shqyrtim edhe zbatimin e ligjit të AMA-s që përmendi zonja Açka. Komisioni i Posaçëm i PE-së ka zgjatur më shumë se dy vjet dhe është marrë me të gjitha ndërhyrjet në shtetet e BE-së.