Aktualitet

Molotov te Bashkia e Tiranës në protestën e Rithemelimit!

Një tjetër protestë e Rithemelimit e Partisë së Lirisë po zhvillohet sot para Bashkisë së Tiranës, pas arrestimeve të disa drejtorëve e ish-drejtorëve me urdhër të SPAK-ut nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash e shkelje të barazisë në tendera. Të mbështetur nga një grup personash, këshilltarë opozitarë kërkojnë të hyjnë me forcë në godinë, por nuk lejohen nga policia që ka krijuar kordonë.

Nuk mungojnë momentet e tensionit kur protestues të mbledhur atje u përplasën me efektivët e hodhën koktej molotov, si dhe tymuese. Po ashtu, tentuan të rrëzonin gardhin metalik.

Këshilltarja e PD-së, Ilda Zhulali:

Në vend që të hapë dyert për këshilltarët bashkiakë, që kanë marrë votat nga qytetarët shqiptarë për të kërkuar llogari deri më një, Policia e Shtetit vihet në shërbim të korrupsionit dhe të krimit. Ky është shteti shqiptar sot.

Ne edhe njëherë kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit Bashkiak. Z. Veliaj e ka detyrë ligjore të japë llogari para Këshillit Bashkiak dhe e dyta të bëjë raportim financiar të hollësishëm se çfarë ka bërë me paratë e Bashkisë Tiranë që janë miratuar nga Këshilli Bashkiak.

E treta kemi kërkuar një auditim të jashtëm, me auditues profesionistë që të shikohet mënyra se si janë shpenzuar paratë e taksapaguesve të Tiranës për gjatë gjithë kohës që ka qeverisur Erion Veliaj!

Ndërkaq, janë të vazhdueshme tentativat për të hyrë brenda bashkisë. Belind Këlliçi iu drejtua policisë me thirrjen për të lejuar këshilltarët të hyjnë brenda.