Bota

Moti i keq godet Turqinë, 9 viktima!

Ekipet e shpëtimit në Turqi kërkuan për 11 anëtarë të zhdukur të ekuipazhit të një anijeje mallrash që u fundos në Detin e Zi gjatë një stuhie që vrau nëntë persona, përfshirë një nga anija. Lajmin e konfirmoi ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

Anija turke Kafkametler, me 12 vetë në bord, u fundos pranë bregdetit të Ereglit, në veriperëndim të provincës Zonguldak në Turqi. U nxor trupi i pajetë i një anëtari të ekuipazhit.

Dje, Turqia u godit nga një stuhi e fuqishme, ndërsa moti i keq me shi vështirësoi përpjekjet e ekipeve të shpëtimit. Deri sot në mëngjes, pati operacione kërkimi përmes detit dhe ajrit.

Ministri Yerlikaya theksoi se stuhitë dhe përmbytjet e fundjavës në Turqi, shkaktuan vdekjen e katër personave në provincën juglindore, Batman. Po ashtu, të tre të tjerëve në Zonguldak e të një banori në Dijarbakir, po në juglindje.

Por, moti i keq goditi edhe Bullgarinë e Rumaninë. Në rajonin Varna në Detin e Zi, Sofja zyrtare shpalli gjendjen e jashtëzakonshme nga shirat e dëbora. Në territorin bullgar u raportuan dy viktima e tre të lënduar, si dhe pati ndërprerje të energjisë elektrike e bllokim rrugësh nga përmbytjet masive. Policia bullgare njoftoi:

Një grua 43-vjeçare gjeti vdekjen nga një pemë e rrëzuar në Varna, mbrëmjen e së shtunës. Dy pjesëtarë të ekipeve të emergjencave u lënduan. Një tjetër pemë ra mbi një makinë që të shtunën po lëvizte në kryeqytetin Sofje. Humbi jetën drejtuesi i automjetit 65 vjeç, si dhe mbeti e plagosur rëndë bashkëshortja e tij.

E njëjta stuhi goditi edhe Rumaninë fqinje me Bullgarinë, duke detyruar shtetin të mbyllte portet në Detin e Zi. Alarmi u ngrit në nivelin më të lartë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe erërave të fuqishme. Autoritetet iu bënë thirrje banorëve, të qëndronin në shtëpi.

Mijëra banesa mbetën pa energji elektrike. Zjarrfikësit ndërhynë për të larguar 140 pemë që u rrëzuan. Nga moti i keq u dëmtuan edhe 40 makina, por fatmirësisht nuk pati viktima.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se bota do të përballet me mot më ekstrem për shkak të ngrohjes globale të shkaktuar nga çlirimi i gazrave serrë.