Sport

Ndeshja me Çekinë, Sylvinho: Jemi këtu se luajmë me zemër, kënaqësi ta kem Brojën!

Trajneri Sylvinho foli në konferencë për shtyp në kuadër të ndeshjes së datës 12 tetor ndaj Çekisë në Air Albania, një sfidë mjaft e rëndësishme për fatet e kuqezinjve në kualifikueset për Euro 2024. Braziliani këmbënguli se llogaritë për kualifikimin bëhen në muajin nëntor ndërsa shtoi se kuqezinjtë deri më tani kanë ardhur në këtë pikë falë zemrës, sakrificës dhe djersës së derdhur në fushë.

Gjendja psikologjike e lojtarëve, çfarë këshillash iu jepen? 

Bëhet një punë e madhe nga ne si staf, nuk është si në klube që ke kontakt çdo ditë me lojtarët. Është e rëndësishme që të takojmë lojtarë dhe të flasim me lojtarët prandaj kemi bërë një tur për të takuar lojtarët. Gjithçka ka shkuar mirë.

Kemi takuar lojtarë, shoh një organikë të lumtur dhe të vetëdijshme që kemi bërë mirë deri këtu. E dinë që deri këtu na ka sjellë zemra, sakrifica dhe djersa e tyre, ne i kemi dhënë një drejtim dhe kjo është forca jonë. Nuk mund të lëvizim më shumë, jemi të lumtur për popullin tonë. Janë forca jonë. Ka shumë zemër, por lojtarët e dinë se kanë edhe shumë për të djersitur.

Ndaj Çekisë për të fituar apo mund të bëjmë edhe llogari?

Llogaritë bëhen në nëntor, është një grup i vështirë dhe i ekuilibruar. Nuk është e lehtë. Në këtë moment nuk mund të bëhen llogari, në nëntor po. Është një ndeshje e vështirë do të luajmë para njerëzve tanë në një atmosferë të nxehtë dhe të vështirë. Mund të ndodhë gjithçka, kemi kampionë në fushë. Kemi lojtarë që mund të bëjnë diferencën, por nuk e dimë. Një ndeshje e vështirë që zgjat 90 minuta dhe duhet ta përgatisim mirë, por llogaritë në nëntor.

A është problem zgjedhja në një organikë kaq të kompletuar apo është një problem i bukur? 

Për mua është luks, lojtarët luajnë dhe po shënojnë, kjo është gjë e mirë. Unë duhet të bëj një zgjedhje, nuk jemi 11, por 25 dhe të gjithë e dinë. 2-3 lojtarë janë futur në ndeshje e sipër dhe kanë bërë gjëra të mira është luks e përsëris të kemi kaq shumë zgjidhje. Për mua sa më shumë lojtarë në formë, aq më mirë.

Janë lojtarë të mirë dhe i bëjnë njerëzit të argëtohen, por ka edhe diçka të rëndësishme, puna në grup kur nuk kemi topin, ne jemi një skuadër që vrapon dhe lufton, këtë e shohin njerëzit. Edhe pa top, jemi një skuadër që përfaqëson njerëzit. Kur na shohin njerëzit ndjehen krenar, jam i qetë sepse lojtarët e ndjejnë përgjegjësinë në fushë dhe jashtë saj.

Është normale të ketë entuziazëm, por brenda skuadrës dhe stafit nuk ka fare eufori. Kemi edhe tre finale dhe ndeshja më e rëndësishme është me Çekinë, një ndeshje shumë e vështirë kanë pësuar vetëm dy gola dhe nuk kanë humbur. Janë fizikë dhe të organizuar.