Sport

Prag miqësoresh me Kilin dhe Suedinë, Syvinho: Momenti të provojmë sa më shumë elementë!

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Sylvinho, rreth mesdite foli në konferencë për shtyp para grumbullimit të ekipit për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji ndaj Kilit dhe Suedisë, respektivisht në datat 22 dhe 25 mars. Tekniku i kuqezinjve shpjegoi me më shumë detaje emrat në listën e të grumbulluarve.

Muja dhe Daku jashtë dhe grumbullimi për Arbër Hoxhën

Në sulm ka shumë dhimbje koke që është normale për mua. Muja, Daku dhe Gjasula janë të rëndësishëm, i kemi në konsideratë, por unë nuk mund të grumbulloj 30 lojtarë.

Duhet të shohim edhe lojtarë që vijnë për herë herë të parë me mua si Manaj. Për Brojën është hera e dytë. Hoxhën e ndiqnim prej tre muajsh, ai luan në të majtë. Duhet të ndjekim lojtarët. Nuk ishte e lehtë.

Tekniku brazilian tha se ndeshjet me Kilin dhe Suedinë janë shumë të rëndësishme.

Çdo lojtar ka historinë e ardhjes deri këtu. Është momenti që ne të provojmë sa më shumë elementë. Kemi një rrugëtim përpara dhe do të luajmë këto dy ndeshje, në të cilat jemi shumë të përqendruar. Jam shumë i karikuar në punën time dhe në vëzhgimin e Manajt e të Brojës. Duhet të rrisim nivelin tonë të lojës në çdo drejtim, sepse do të përballemi në Europian me kundërshtarë të nivelit të lartë.

Po pres që lojtarët të zbresin në fushë dhe të bëjnë mirë, shumë mirë. Kemi lojtarë që njihen, por kemi edhe lojtarë që luajnë në klube më të vogla, të cilët mund të shpërthejnë si në rastin e Asanit. Mund të kemi surpriza.

Kjo është ëndrra e çdo trajneri: të marrë një lojtar dhe të rrisë nivelin e tij. Do të kemi surpriza. Ai që kam në mendje e që mund të më surprizojë, ende është i vogël. Vetëm 14 vjeç.

Dje, trajneri Sylvinho zbuloi listën e të grumbulluarave për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, me Kilin në Parma të Italisë më 22 mars dhe në Solden përballë Suedisë, më 25 mars. Ka surpriza në listën prej 26 lojtarësh që trajneri brazilian ka zgjedhur të provojë në këto dy ndeshje ndërsa tashmë janë shumë pranë edhe grumbullimit zyrtar për finalet e Europianit.

Në Kombëtaren Kuqezi do të rikthehet Armando Broja, sulmuesi i cili aktivizohet te Fulhami që nga janari i këtij viti. Edhe pse me pak minuta në dispozicion, Sylvinho ka vendosur ta provojë, duke qenë se në prag të ndeshjes me Republikën Ceke gjatë eliminatoreve, problemet fizike nuk e lejuan të qëndronte më tepër se 48 orë në grumbullim dhe për asnjë ndeshje.

Për herë të parë, nga Sylvinho grumbullohet edhe Rei Manaj, i cili po kalon një formë shumë të mirë në kampionatin turk ku ka shënuar 17 gola. Po për herë të parë, gjithashtu grumbullohet Arbër Hoxha. Shqiptari i Kosovës është një emër i ri për ne. Ai luan me Dinamon e Zagrebit si sulmues i majtë. Një test interesant, por që duket se do të vërë në pozita të vështira konkurrence dy lojtarët e tjerë të atij pozicioni, si Seferi dhe Uzuni.