Sport

Sylvinho rezervon befasi me listën e Kombëtares!

Trajneri Sylvinho zbuloi listën e të grumbulluarave për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, me Kilin në Parma të Italisë më 22 mars dhe në Solden përballë Suedisë, më 25 mars. Ka surpriza në listën prej 26 lojtarësh që trajneri brazilian ka zgjedhur të provojë në këto dy ndeshje ndërsa tashmë janë shumë pranë edhe grumbullimit zyrtar për finalet e Europianit.

Në Kombëtaren Kuqezi do të rikthehet Armando Broja, sulmuesi i cili aktivizohet te Fulhami që nga janari i këtij viti. Edhe pse me pak minuta në dispozicion, Sylvinho ka vendosur ta provojë, duke qenë se në prag të ndeshjes me Republikën Ceke gjatë eliminatoreve, problemet fizike nuk e lejuan të qëndronte më tepër se 48 orë në grumbullim dhe për asnjë ndeshje.

Për herë të parë, nga Sylvinho grumbullohet edhe Rei Manaj, i cili po kalon një formë shumë të mirë në kampionatin turk ku ka shënuar 17 gola. Po për herë të parë, gjithashtu grumbullohet Arbër Hoxha. Shqiptari i Kosovës është një emër i ri për ne. Ai luan me Dinamon e Zagrebit si sulmues i majtë. Një test interesant, por që duket se do të vërë në pozita të vështira konkurrence dy lojtarët e tjerë të atij pozicioni, si Seferi dhe Uzuni.

Veç rikthimeve, kjo listë ka edhe disa mungesa të rëndësishme. Padyshim, më kryesorja është mungesa e qendërmbrojtësit Ardian Ismajli, i cili është dëmtuar. Ndërkaq, mungesa e Gjasulës, Mujës dhe Dakut është që bie disi në sy duke qenë se janë lojtarë të reparteve ku për momentin ka mbipopullim.

Nesër, trajneri do të dalë në një konferencë për shtyp për këto ndeshje, për të shpjeguar më tepër gjëra rreth përzgjedhjeve të tij. Grumbullimi do të fillojë nga e diela pasdite dhe lojtarët që nuk kanë ndeshje me klubet e tyre do të mbërrijnë në Tiranë.

22 mars, ora 20:45

Shqipëri – Kili, stadiumi “Ennio Tardini”, Parma/Itali

25 mars, ora 19:00

Suedi – Shqipëri, stadiumi “Friends Arena”, Stokholm

Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore të marsit:

Etrit Berisha

Thomas Strakosha

Elhan Kastrati

Elseid Hysaj

Ivan Balliu

Berat Gjimshiti

Enea Mihaj

Federic Veseli

Jon Mersinaj

Marash Kumbulla

Mario Mitaj

Naser Aliji

Ylber Ramadani

Kristjan Asllani

Qazim Laçi

Keidi Bare

Arbër Hoxha

Taulant Seferi

Myrto Uzuni

Nedim Bajrami

Ernest Muçi

Jasir Asani

Arbnor Muçolli

Sokol Cikalleshi

Rey Manaj

Armando Broja