Sport

Sonte miqësorja me Kilin, e para provë e Shqipërisë drejt “Euro 2024”-ës!

Sonte miqësorja me Kilin në Parma të Italisë dhe për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit, përballja me amerikano-latinët përbën provën e parë drejt “Euro 2024”-ës, kampionatit të kësaj vere në Gjermani. Shqipërinë e drejtuar nga trajneri brazilian Sylvinho e pret një provë e vërtetë pasi kundërshtarët renditen mes skuadrave të nivelit mbi mesatar.

Madje, kujtojmë se shpesh janë pjesë e Kupës së Botës, si dhe mjaft të spikatur në Kupën e Amerikës. E në fakt, Kili duket si kundërshtari i duhur për teknikun Sylvinho, i cili ende ka për të marrë disa përgjigje nga lojtarët në organikë, sidomos kur vjen puna te sulmi aty ku shumë emra janë në garë për një vend mes listës së 23 lojtarëve që do të grumbullohen për Europian.

Sa i takon formacionit të mundshëm, Sylvinho pritet t’i qëndrojë besnik jo vetëm skemës së tij 4-2-3-1, por edhe pjesës më të madhe të lojtarëve teksa pritet hapësirë nga minuta e parë për Mihajn në mbrojtje, në mungesë të Ismajlit si dhe Brojës, në majën e sulmit. Ndeshjen mes Shqipërisë dhe Kilit në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmës mund ta ndiqni nëpërmjet SuperSport 2, duke nisur nga ora 20:45 e mbrëmjes.

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti, i cili dje u shfaq përkrah trajnerit Sylvinho në bisedën me gazetarët, dje preku disa tema përpara miqësores me Kilin.

Kili është një ekip i fortë. Kanë cilësi, në vitet e fundit kanë qenë në Botërorë dhe Kupa Amerike. Test i rëndësishëm. Nuk jemi mësuar të luajmë me kombëtare të tilla.

Mbrojtja?

Nuk janë vetëm ata Kumbulla dhe Ismajli. Eshtë Mihaj, është Veseli. Flasim të njëjtën gjuhë dhe kemi shumë kohë në Kombëtare. E vendos trajneri kush luan. Mbrojtja ka po aq rëndësi sa aspekti sulmues. Janë të dyja të rëndësishme, por më e rëndësishme është që ekipi të luajë bashkë. Nuk është vetëm mbrojtja që mbron, por i gjithë ekipi. Njësoj ndodh edhe në fazën sulmuese.

Për ne që kemi shumë kohë që po luajmë në Itali do të jetë shumë bukur. Ka shumë shqiptarë këtu, të cilët do të na përkrahin nesër. Sigurisht, që Italia është kombëtare që ka historinë e vet, gjithmonë është aty. Ne kemi një frymë shumë të mirë dhe lojtarë me cilësi. Ekipi është në rrugën e duhur, pse të mos bëjmë surprizën ndaj Italisë? Pse jo?!