Aktualitet Politikë

Ndryshimet në qeveri, Ina Zhupa: Udhë të mbarë Elva Margariti, të përdorën si vrasëse të kulturës!

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ashpër pas vendimit të qeverisë për vendosjen e ministrisë së Kulturës në varësi të Ekonomisë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Zhupa shkruan se vendimi nënkupton trajtimin zyrtarisht të trashëgimisë kulturore si mall tregu dhe koncesioneve si metodë pune. Sipas Zhupës, ministrja në ikje e Kulturës, Elva Margariti, është kurbani i radhës, e cila pasi përdor si vrasëse e kulturës, u hodh poshtë duke i shkrirë edhe ministrinë.

“Bashkimi i kulturës me ekonominë, zyrtarizimi i trajtimit të trashëgimisë kulturore si mall tregu dhe koncesioneve si metodë pune. Shqipëria e trajtuar si plackë, ku nuk shpëton as kultura, shprehet qartësisht me këtë vendim. Udhë të mbarë Elva Margariti, nuk do na mungosh fare, të përdorën si vrasëse të kulturës dhe të hodhën poshtë duke të shkrirë edhe ministrinë. Je kurbani i rradhës”– tha Zhupa.

Si një nga kundërshtaret më të zëshme kundër koncesionit të Butrintit, Zhupa shprehet se Margariti do të qëndrojë edhe për disa orë në bordin e këtij koncesioni derisa të dalë vendimi i rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese.

“Tani vazhdo edhe ca ditë në bordin e koncesionit të Butrintit sa të dali vendimi i rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese dhe turpin ta lajnë me heqjen tënde. Do votoj me të dyja duart që të ikësh ti nga kultura. Gonxhja i Ramës do jetë edhe më keq se Margariti jam e bindur por përballë do na ketë hap pas hapi”– u shpreh Zhupa.