Aktualitet

Nëna dhe dy bijat ranë në korrent, zbulohet shkaku i tragjedisë në Fushë Arrëz

Zbulohet shkaku i tragjedisë në Pukë ku humbën jetën nëna me dy vajzat, pasi i zuri korrenti në dush.

Mësohet se ka qenë një defekt elektrik në lavatriçe që solli vdekjen fillimisht të njërës vajzë dhe më pas motrës dhe nënës së tyre, raporton News 24.

Për shkak të defektit lavatriçja ka përcjellë energjinë elektrike dhe ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të dy vajzave dhe nënës.

Një nga fqinjët, i cili tentoi të ndihmonte familjen tregon momentet e vështira, kur pa nënën dhe dy vajzat të shtrira në tokë.

Burri e përshkruan ngjarjen si tejet të rëndë, ndërsa thotë se familja është një nga më të respektuarat dhe të edukuarat në pallat.

“Kishin rënë në tokë pa ndjenja, njërën prej tyre e preka pak me dorë, mu duke shumë e ftohtë akull. Aty mu mbush mendja se këto i ka mbytur korrenti. U mërzitëm shumë. Ka qenë një ndër familjet më të respektuara. Familja më e edukuar në pallat. E ëma sa ka ardhur nga puna ka tentuar ta kapë dhe ka vdekur në vend. Shumë ngjarje e rëndë. Ai djali ka ulur automatin. Më pas erdhi policia, tani pritet edhe ekspertiza”, tregon fqinji.

Viktime të kësaj tragjedie mbetën Sidorela Kola 19 vjeç, Emiljana Kola 16 vjeç dhe Prendushe Kola 42 vjeç.