Botë e Çuditshme Health & Beauty Lifestyle

Nga zbulimi e deri më sot, sasia e plastikës së prodhuar nga njeriu!

Sipas një studimi të publikuar në “Science Advances”, sasia e plastikës së prodhuar në rreth 60 vjet është 8 miliardë e 300 milionë tonë. Ky përfundim u arrit nga një grup studiuesish nga Universiteti i Xhorxhias, Universiteti i Kalifornisë dhe Shoqata e Arsimit të Santa Barbara dhe Detit. Studiuesit analizuan prodhimin dhe përdorimin e plastikës që u bë gjatë kësaj periudhe. Nga sasia e plastikës së prodhuar gjatë gjithë këtyre viteve, 2 miliardë tonë përdoren ende, ndërsa 6,3 miliardë tonë tashmë janë bërë mbetje.

Nga kjo, vetëm 9% është ricikluar, 12% është djegur dhe 79% kanë përfunduar në mjedisin tokësor dhe detar. Sipas studiuesve, deri në vitin 2050 do të ketë një prodhim që do të arrijë në 12 miliardë tonë globalisht. Prodhimi i plastikës në vitet 50-të nuk i kalonte 2 milionë tonë në vit, ndërsa sot ka arritur në 400 milionë tonë në vit. Jenna Jambeck, një nga studiuesit e përfshirë në studim tha se:

Një sasi e madhe e plastikës që ka prodhuar njeriu nuk është në asnjë mënyrë e biodegradueshme dhe kjo do të thotë se do të mbetet me ne për shekuj, nëse jo për mijëvjeçarë dhe kjo duhet të na bëjë të mendojmë për mënyrën se si e përdorim plastikën dhe çfarë të bëjmë me të.

Studimi nuk u ndal thjesht në vlerën globale, por analizoi sasinë e rrëshirave, fibrave dhe aditivëve të përdorur nga industritë dhe të sintetizuara sipas llojit dhe konsumit të bërë në sektorë të ndryshëm. Rikujtojmë, se sipas një studimi, bregdeti izraelit është i ndotur me mbi dy tonë mikroplastikë. “Plazhet e Tel Avivit dhe Hadera janë më të goditurit. Rezultatet janë alarmante. Në dritën e rezultateve, kontakti i dëmshëm me mikroplastikën është praktikisht i pashmangshëm”, njoftoi Universiteti i Tel Avivit. Burimet e ndotjes janë ambalazhet e ushqimeve, produktet plastike të disponueshme dhe rrjetat e peshkimit.