Aktualitet

Ngjarjet e 21 Janarit 2011, ministri Manja: Drejtësia të bëjë drejtësi për vrasjet!

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja përsëriti se “drejtësia duhet të bëjë drejtësi për vrasjet e ndodhura më 21 janar 2011”, në Tiranë. Në një prononcim për mediat, Manja tha se edhe “Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut mori një vendim, i cili nxit drejtësinë shqiptare të bëjë drejtësi për ngjarjen e rëndë të 21 janarit”, kur 4 protestues mbetën të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Këshillit të Ministrave, gjatë një proteste kundër qeverisë së kryeministrit të kohës, Sali Berisha.

Unë kam një qëndrim konstant timin për 21 Janarin, që prej vitit 2011 dhe sot, as më shumë e as më pak, në diskursin tim publik kam kërkuar drejtësi për 21 Janarin. Drejtësia të bëjë drejtësi për 21 Janarin, këtë kemi kërkuar dhe këtë presim nga drejtësia. Të zbardhet e vërteta në të gjithë dimensionin e saj. Tani ka edhe një këndvështrim tjetër për 21 Janarin.

Ndjehemi pak të lehtësuar dhe qetësuar për këtë çështje dhe kjo lidhet edhe me një vendim të Gjykatës së Strasburgut. Eshtë një lehtësim për ne ky vendim, tani i takon drejtësisë të bëj drejtësi!

Kujtojmë se nëntorin e kaluar, Gjykata e Stasburgut dha vendimin për Aleks Nikën, duke dalë në përfundimin se ka dy shkelje në këtë çështje: vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes!

Këto janë shkelje të dy aspekteve të së drejtës së jetës, thuhet në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Aleks Nika mbeti i vrarë në protestën e 21 Janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bashkë me tre protestues të tjerë. Familjarët e Nikës dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ndërkohë, dy vite më parë, Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin për vrasjen e Aleks Nikës. Megjithatë, familjarët e Nikës janë të zhgënjyer nga drejtësia shqiptare, ndërsa janë shprehur se “Prokuroria po luan ping pong” me dosjet ndaj dhe iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut.