Aktualitet

Nis ulja e çmimeve të karburanteve/Studentët e Universitetit Bujqësor në protestë!

Nis ulja e çmimeve të karburanteve në vend. Nga sot dhe në vazhdim vlera e një litri karburant në treg do të jetë si më poshtë:

Diesel 223 lekë
Benzinë 95 223 lekë
Gazi nuk ndryshon

Për këtë situatë, kryeministri Edi Rama njoftoi ngritjen e një bordi të posaçëm që do të kryejë monitorime dhe do të marrë masa për moslejimin e abuzimeve me çmimin e karburanteve. Rama mblodhi sot në mjediset e Kryeministrisë, furnizues të karburanteve.

Tashmë krijohet Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit që synon t’i vërë fre çdo spekulimi me pasojat e luftës në çmimet e karburantit.

Situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit. Një Akt Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence shkaktuar nga lufta në Ukrainë, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës.

Në Korçë, krahas studentëve, kundër rritjes së çmimeve që rëndojnë xhepat e shqiptarëve protestuan edhe qytetarët e pati përplasje me policinë gjatë tentativave për të bllokuar rrugën. Në protestë nuk munguan fermerë të zonës.

Ndërkohë, studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës vazhdojnë marshimin drejt qendrës, në kuadër të protestës për të kundërshtuar gjendjen e krijuar me rritjen e çmimeve. Ata u nisën nga mjediset ku studiojnë e gjatë rrugëtimit, bllokuan disa pjesë rruge përfshirë nënkalimin te Casa Italia. Po ashtu u ndalën para Ministrisë së Arsimit e nuk mungojnë thirrjet drejtuar qytetarëve, për t’u çuar nga kafenetë.

Më herët gjatë ditës, pati protesta te vendi i quajtur “Pushimi i Shoferit” në Lushnjë, si edhe nga taksistët në Tiranë, para Kryeministrisë e Bashkisë. Opozita përmes nënkryetares demokrate Jorida Tabaku konfirmoi mbështetjen për këto protesta, si forma më e mirë kundër asaj që e quajti “arrogancë e qeverisë”.