Aktualitet

Nis vaksinimi i operatorëve turistikë!

Nisi sot vaksinimi i operatorëve turistikë në Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër, kundër COVID-19. 450 persona nga personeli i hoteleve dhe restoranteve, të cilët do të marrin vaksinën kineze Sinovac janë regjistruar vetëm ditën e sotme në Durrës.

Procesin e ndoqi edhe kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga ministrja e shëndetësisë Manistirliu. Ndërkohë, ditën e nesërme pritet të fillojë vaksinimi i operatorëve turistikë edhe në Kukës, ndërsa të hënën në Krujë.

Kryetari i Shoqatës së Operatorëve turistikë i Durrësit, Eduart Xhepa e vlerësoi nisjen e vaksinimit të operatorëve turistikë, ndërsa tha se kjo do të rrisë numrin e turistëve. Ai i kërkoi kryeministrit që operatorët turistikë të pajisen me certifikatat e vaksinimit pasi kjo, sipas tij do ti shërbejë turistëve të huaj që të frekuentojnë resortet shqiptare.

Vaksinimi i operatorëve turistikë vjen pas kërkesës  për të patur një sezon veror të lehtësuar. Procesi i vaksinimit në vend vijon me ritme të shpejta, ndërsa deri në fund të majit objektivi është që të vaksinohen gjysmë milioni shqiptarë që do të lehtësonte edhe më tej situatën me COVID-in në vend.

Vetë kryeministri Edi Rama është shprehur se ky sezon veror mund të jetë pa masa kufizuese.

Ditën e djeshme u kryen 10.134 vaksinime duke e çuar numrin total të personave të vaksinuar në vend në 314.622, ndërsa këto dy ditë pritet të vijnë 90.800 doza të AstraZeneca. Vaksinimi masiv po vijon me të moshuarit mbi 60 vjeç ku prioritet kanë të sëmurët kronik, stomatologët, farmacistët, arsimtarët në shkollat private, edukatorët, punonjësit e rendit dhe punonjës të medias.

Aktualisht në vendin tonë janë duke u përdorur vaksina Pfizer, AstraZenca, vaksina ruse Sputnik V dhe ajo kineze Sinovac.