Aktualitet

Vaksinimi anti-COVID, sot pritet të arrihet në 300 mijë në Shqipëri

Autoritetet shëndetësore presin që sot të arrihet shifra e mbi 300 mijë vaksinimeve kundër koronavirusit e deri në fund të muajit të ardhshëm, në 500 mijë. Sipas Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, këtë fundjavë nis vaksinimi i stafeve të operatorëve turistikë.

Ne duam që sezoni turistik të jetë i lehtësuar nga masat, por do vijojmë të krijojmë bazat për të vaksinuar të gjithë punonjësit e sistemit të hotelerizmit, që të kemi një sistem sa më të mbrojtur. Kemi një plan konkret, duam ta fillojmë që këtë fundjavë, për të vijuar me vaksinimin masiv të të gjithë atyre që shërbejnë në hoteleri.

Këtë fundjavë mbërrijnë mbi 90 mijë doza të vaksinës anti-COVID të AstraZeneca-s. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:

Të shtunën dhe të dielën mbërrijnë 90 mijë e 800 vaksina AstraZeneca. Shqipëria do të vijojë të qëndrojë në vendet e para të klasifikimit europian për shpejtësinë e vaksinimit dhe ne do ta tejkalojmë objektivin e 500 mijë të vaksinuarve brenda majit.

Në vendin tonë, vaksinimi masiv nisi më 28 mars. Tashmë është mbërritur tek fasha +60, si dhe janë përfunduar grupmoshat +80 dhe +70.

Në Kosovë nesër fillon vaksinimi anti-COVID i personave të grupmoshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike.

Për disa ditë me radhë, në Prishtinë e në të gjitha komunat, procesi do të kryhet bazuar në kartelat e diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike.

Ndërkohë, vijon vaksinimi i të moshuarve mbi 80-vjeç, si dhe i personelit shëndetësor. Në Kosovë, vaksinimi kundër koronavirusit nisi më 29 mars, pas sigurimit të 24 mijë dozave të vaksinës së AstraZeneca-s, përmes Programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura jo të larta.

Deri në fund të qershorit priten rreth 177 mijë doza të vaksinave të Pfizer-BioNTech-ut e AstraZeneca-s.