Aktualitet

Vijon vaksinimi masiv në vend, sot radha e personave +60 me sëmundje kronike

Prej mbi dy javësh, në vendin tonë vijon me ritme të larta vaksinimi masiv anti-COVID dhe sot është radha e personave mbi 60-vjeç, me sëmundje kronike. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu apeloi që ata të regjistrohen pranë mjekut të familjes për ditën dhe orën e vaksinimit. Paralelisht po vaksinohen të moshuarit më shumë se 65-vjeç.

Po sot, fillon edhe shpërndarja e 100 mijë vaksinave të kompanisë kineze “Sinovac”, të cilës i janë identifikuar nivele të ndryshme efektiviteti. Gjithashtu, pritet të mbërrijnë 7.020 doza të vaksinës së kompanive “Pfizer&BioNTech”. Prej fillimit të vaksinimit anti-COVID, deri tani në vendin tonë janë kryer mbi 260 mijë vaksinime, më shumë se 185 mijë prej tyre, për të moshuarit.

Procesi i vaksinimit ka përfunduar për bluzat e bardha dhe arsimtarët në shkollat publike, si dhe vijon për të moshuarit, arsimtarët në shkollat private, stomatologët, farmacistët,  punonjësit e rendit e të medias.

Më 28 mars, nisi vaksinimi me vaksina të “Pfizer&BioNTech”-ut, “AstraZeneca”-s, “Sputnik V”-ës e “Sinovac”-ut.

Në fillim të muajit, Barometri Global për Ritmin e Vaksinimit kundër koronavirusit na renditi të parët në Ballkanin Perëndimor, madje Shqipëria la pas edhe shtete të Bashkimit Europian.