Aktualitet

Një oficere e Policisë Gjyqësore në Tiranë në pranga për korrupsion!

Akuzat për korrupsion, pranga një oficereje të Policisë Gjyqësore Tiranë. Arrestimi u bë pas hetimit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nisur nga dyshimet se merrte rryshfete kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte. 47-vjeçarja përballet me veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për punonjësen e policisë A.N., me detyrë specialiste në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Caktimi i masës u bë pasi Drejtoria Rajonale e AMP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kreu hetime në kuadër të procedimit penal të vitit 2023, mbi dyshimet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.

Nga hetimet është krijuar dyshimi i arsyeshëm se 47-vjeçarja, në cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore në Sektorin Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, ka kërkuar e marrë një shumë monetare në formë ryshfeti, kundrejt premtimit të lehtësimit të pozitave penale të personave që hetonte.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.