Bota

OBSH: “Vaksinat anti-COVID përgjithësisht mbrojnë nga varianti Delta!”

Përgjithësisht, vaksinat anti-COVID mbeten shumë efektive ndaj variantit Delta pavarësisht një shkalle rezistence e disa testeve që tregojnë efikasitet të zvogëluar ndaj këtij varianti të identifikuar fillimisht në Indi.

Epidemiologia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Maria Van Kerkhove:

Ky është mesazh me të vërtetë i rëndësishëm: Edhe pse shohim efikasitet të reduktuar, vaksinat mbeten të efektshme në pakësimin e pasojave të rënda e të vdekjeve nga COVID-i, përfshirë nga varianti Delta.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH jep alarmin se në vendet e varfra po mbarojnë vaksinat anti-COVID. Programi COVAX ka shpërndarë 90 milionë doza në 131 vende por shifra është larg asaj që kërkohet për të mbrojtur popullatat nga koronavirusi.

Mungesat vijnë në kohën kur disa vende në Afrikë po përballen me valën e tretë të infektimeve. Deri tani në këtë kontinent rezulton të jetë vaksinuar më pak se 2% e popullsisë. COVAX u krijua vitin e kaluar, për të siguruar shpërndarjen e vaksinave në të gjithë botën. Planifikohej që vendet më të pasura të subvenciononin kostot për më të varfrat.

Nga 28 qershori, Italia do ta heqë detyrimin për mbajtjen e maskës në mjediset e jashtme. Qeveria e mori vendimin nisur nga numri në rënie i rasteve e shtrimeve në spital nga COVID-i. Detyrimi për maskat jashtë u vendos tetorin e kaluar kur Italia po hynte në valën e dytë të koronavirusit dhe autoritetet po luftonin për të frenuar infektimet në rritje.

Nga 28 qershori, vendi fqinj do të shpallet “zonë e bardhë” që nënkupton nivelin më të ulët të rrezikut nga koronavirusi. Në Europë, vendime të ngjashme për maskat kanë marrë edhe Franca e Spanja, pavarësisht shqetësimeve për përhapjen e variantit Delta të koronavirusit.