Bota

Orban: Do të bëjmë marrëveshje për mbrojtjen me Suedinë!

Hungaria do të nënshkruajë një marrëveshje për industrinë e mbrojtjes me Suedinë, siç tha sot kryeministri hungarez, Viktor Orban. Shefi i qeverisë i bëri këto komente para një takimi me kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson, po sot në Budapest, në një kohë kur Hungaria po përgatitet ta ratifikojë më në fund anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Duke folur për radion shtetërore hungareze, Orban u shpreh:

Ne do t’i mbyllim të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe do të firmosim një marrëveshje për industrinë e mbrojtjes, një marrëveshje serioze duke marrë parasysh madhësinë e Hungarisë. Do të marrim disa vendime apo… synime për bashkëpunim ushtarak.

Dy kryeministrat do ta mbajnë një konferencë për media ndërsa Parlamenti i Hungarisë pritet të miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO përmes votimit të hënën e 26 shkurtit.

Të hënën, Parlamenti hungarez do ta vulosë përfundimisht këtë çështje!

Suedia aplikoi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s rreth dy vjet më parë, e nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Hungaria është vendi i vetëm i NATO-s që ende nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e vendit nordik, pasi partia në pushtet e Orbanit, Fidesz e pati vonuar vazhdimisht hedhjen në votim të kësaj çështjeje, duke u ankuar për kritikat që Suedia i drejtonte Hungarisë lidhur me standardet e saj të sundimit të ligjit.

Fidesz gëzon një shumicë të madhe në Parlament dhe ka mundur që ta miratojë anëtarësimin e Suedisë në NATO në çdo kohë, duke qenë se legjislacioni në fjalë ishte dorëzuar para deputetëve në verën e vitit 2022.

Hungaria merr me qira avionë luftarakë Gripen të prodhuar nga kompania e Suedisë, SAAB SAABn.ST, sipas një kontrate të nënshkruar më 2001-shin. Në fillim të kësaj jave, Kristersson tha se Suedia dëshiron ta thellojë edhe më shumë bashkëpunimin me Hungarinë për avionët Gripen dhe shtoi se kjo çështje do të jetë në axhendë ditën e sotme.