Bota

Paralajmërime se konflikti në Sudan mund të shkaktojë krizë rajonale!

Dhuna e vazhdueshme në Sudan mund të zhysë të gjithë rajonin e Afrikës Lindore në një krizë humanitare. Kështu paralajmëron Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP). Martin Frick, drejtor i WFP-së në Gjermani deklaron:

Një e treta e popullsisë së vendit afrikan ishte e uritur edhe para se të shpërthenin luftimet. Tani ka mungesë të gjithçkaje dhe çmimet e ushqimeve po rriten në stratosferë.

Po ashtu, konstatohet se rritje të ngjashme çmimesh po ndodhin edhe në shtetet fqinje si Sudani i Jugut. Frick shton:

Në Sudanin e Jugut, i cili po përballet me përmbytje në disa zona dhe thatësira në të tjera për shkak të krizës klimatike, çmimet e ushqimeve janë rritur me 28% në një kohë shumë të shkurtër.

Me ndihmën e ushtrisë, ai që cilësohet presidenti de facto i Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan po lufton zëvendësin e tij Mohammed Hamdan Daglo që nga data 15 prill.

Daglo është lider i grupit paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Të dy gjeneralët siguruan udhëheqjen e vendit me rreth 46 milion banorë përmes dy grusht shteteve të organizuara në vitet 2019 e 2021.

Qindra njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve të ashpra mes palëve kundërshtare e mijëra të tjerë po ikin nga vendi. Qeveritë nga e gjithë bota, përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nisur misione evakuimi për t’i transportuar qytetarët e tyre.

Duhet theksuar se Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së  i është dashur të pezullojë mbështetjen e tij për 7.6 milion njerëz në Sudan, po si rezultat i luftimeve dhe se gjendja e sigurisë e bën të pamundur ndërhyrjen.

Por, sipas drejtuesit Frick, refugjatët që kanë gjetur strehim në Sudan, gratë shtatzëna ose fëmijët e kequshqyer nuk do të mbeten pa mbështetjen e WFP-së.

Sapo të na e lejojë situata e sigurisë, ndihma duhet që të rifillojë.