Bota

Rikthehen luftimet e ashpra në Sudan menjëherë pas skadimit të armëpushimit!

Rikthehen luftimet e ashpra në kryeqytetin e Sudanit, Kartum. Gjeneralët rivalë që luftojnë prej mesit të muajit prill për kontrollin e vendit afrikan, nuk humbën kohë. Pak minuta nga skadimi i armëpushimit të fundit, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite, ata rinisën luftën. Edhe gjatë mbrëmjes së djeshme u raportua për luftime mes palëve.  Për shkak të tyre, selia e shërbimit të Inteligjencës në kryeqytetin sudanez u përfshi nga zjarri.

Në mënyrë të vazhdueshme, dy palët ndërluftuese akuzojnë njëra-tjetrën se kanë shkelur marrëveshjen për armëpushimin 72-orësh. Një burim i agjencisë së lajmeve AFP brenda ushtrisë kryesore, të udhëhequr nga Abdel Fattah al-Burhan, akuzoi paraushtarakët rivalë të Mohamed Hamdan Daglos për goditjen e ndërtesës duke sulmuar me granata.

Një burim nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) tha se një “dron i ushtrisë bombardoi ndërtesën ku ishin mbledhur luftëtarët e RSF-së, duke shkaktuar një zjarr e shkatërrim të pjesshëm të selisë së Inteligjencës”.

Mëngjesin e sotëm, banorët e Omdurmanit pranë Kartumit raportuan për shkëmbime të rënda artilerie, vetëm pak minuta pas përfundimit të armëpushimit në 06:00 të mëngjesit me orën lokale.

Armëpushimi, i cili përkoi me një konferencë ndërkombëtare të donatorëve në Gjenevë të Zvicrës, dy ditë më parë, pra në datën 19 qershor, solli një pushim të shkurtër nga luftimet për miliona civilët që janë bllokuar në kryeqytet.

Në mbarë vendin, më shumë se 2 mijë njerëz mbetën të vrarë që nga koha kur lufta për pushtet midis Burhanit e Daglos shpërtheu në luftime më 15 prill, sipas të dhënave zyrtare të Projektit të të Dhënave për Vendndodhjen dhe Ngjarjet e Konflikteve të Armatosura.

Më shumë se 2.5 milion persona kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Sudan, nga të cilët afro 550 mijë kanë kërkuar strehim në vendet fqinje, referuar të dhënave të dala nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin.