Bota

Paralajmërimi i Vatikanit kundër ndryshimit të gjinisë!

Së fundmi Vatikani ka lëshuar një paralajmërim të fortë kundër ndryshimit të gjinisë, duke thënë se çdo ndërhyrje e tille kërcënon dinjitetin e çdo personi. Paralajmërimi është publikuar në një dokument të ri të nënshkruar dhe miratuar nga Papa Françesku. Deklarata fokusohet në atë që përshkruan një sërë kërcënimesh për dinjitetin njerëzor, duke përfshirë varfërinë, dënimin me vdekje, luftën, abortin, abuzimin seksual dhe abuzimin e grave.

Teksti, i botuar nga zyra e Vatikanit, thekson se përpjekjet për të zbehur ndryshimin seksual midis burrit dhe gruas, duke përfshirë operacionin që përcakton gjininë, duhet të refuzohen. Për abortin ritheksohet ajo që Papa ka thënë në të kaluarën, se mbrojtja e jetës së palindur është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e çdo të drejte tjetër njerëzore.

Rikujtojmë se Papa Françesku është shprehur kundër lindjeve surrogate, duke thënë se duhet ndaluar ndërkombëtarisht. Papa thotë se fëmija është dhuratë dhe jo një objekt kontrate.

Rruga drejt paqes kërkon respekt për jetën, për çdo jetë njerëzore, duke filluar nga ajo e fëmijës së palindur në barkun e nënës, i cili nuk mund të shtypet apo të bëhet objekt komercializimi. Në këtë drejtim, e konsideroj të mjerueshme praktikën e të ashtuquajturës amësi zëvendësuese, pasi cënon rëndë dinjitetin e gruas dhe fëmijës së saj. Le të jetë e ndaluar në nivel universal. Surrogacia është bazuar në shfrytëzimin e një situate të nevojës materiale të nënës. Fëmija është gjithmonë dhuratë dhe kurrë objekt kontrate. Prandaj shpresoj në një angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për ta ndaluar këtë praktikë në një nivel universal.

Ndërkaq, risjellim në vëmendje se Vatikani, në një vendim historik, të miratuar nga Papa Françesku bëri me dije ndryshimin rrënjësor se priftërinjtë katolikë romakë mund të bekojnë çiftet e të njëjtit seks për sa kohë që ata nuk janë pjesë e ritualeve ose liturgjive të rregullta të Kishës.

Një dokument nga zyra doktrinore e Vatikanit njofton se bekime të tilla nuk do të legjitimonin situata të parregullta, por do të ishin një shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë. Dokumenti thotë se priftërinjtë duhet të vendosin rast pas rasti dhe nuk duhet të parandalojnë ose ndalojnë afërsinë e Kishës me njerëzit në çdo situatë në të cilën ata mund të kërkojnë ndihmën e Zotit nëpërmjet një bekimi të thjeshtë.