Bota

Papa Françesku kundër lindjeve surrogate!

Papa Françesku është shprehur kundër lindjeve surrogate, duke thënë se duhet ndaluar ndërkombëtarisht. Papa thotë se fëmija është dhuratë dhe jo një objekt kontrate.

Rruga drejt paqes kërkon respekt për jetën, për çdo jetë njerëzore, duke filluar nga ajo e fëmijës së palindur në barkun e nënës, i cili nuk mund të shtypet apo të bëhet objekt komercializimi. Në këtë drejtim, e konsideroj të mjerueshme praktikën e të ashtuquajturës amësi zëvendësuese, pasi cënon rëndë dinjitetin e gruas dhe fëmijës së saj. Le të jetë e ndaluar në nivel universal. Surrogacia është bazuar në shfrytëzimin e një situate të nevojës materiale të nënës. Fëmija është gjithmonë dhuratë dhe kurrë objekt kontrate. Prandaj shpresoj në një angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për ta ndaluar këtë praktikë në një nivel universal.

Ndërkaq, duket se simbolet kombëtare shqiptare janë kthyer në trend për të huajt, gjatë kohëve të fundit. Pas Drake dhe futbollistit amerikan Joshua Palmer, të cilët u shfaqën të veshur me një xhaketë që mbante simbolin e shqiponjës dykrenare, këtë herë, Papa Françesku, është shfaqur duke mbajtur në dorë një plis. Foto është publikuar nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka cilësuar si “foton e ditës”. Nuk dihet se kur është shkrepur kjo foto, apo se si Papa arriti të shtinte në dorë një plis me shqiponjën dykrenare.

Rikujtojmë se Vatikani, në një vendim historik, të miratuar nga Papa Françesku bëri me dije ndryshimin rrënjësor se priftërinjtë katolikë romakë mund të bekojnë çiftet e të njëjtit seks për sa kohë që ata nuk janë pjesë e ritualeve ose liturgjive të rregullta të Kishës. Një dokument nga zyra doktrinore e Vatikanit njofton se bekime të tilla nuk do të legjitimonin situata të parregullta, por do të ishin një shenjë se Zoti i mirëpret të gjithë. Dokumenti thotë se priftërinjtë duhet të vendosin rast pas rasti dhe nuk duhet të parandalojnë ose ndalojnë afërsinë e Kishës me njerëzit në çdo situatë në të cilën ata mund të kërkojnë ndihmën e Zotit nëpërmjet një bekimi të thjeshtë.