Bota

“Urbi et Orbi”, Papa nuk harron integrimin europian të Ballkanit Perëndimor!

Konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Papa Françesku përcolli fjalë të forta që u duartrokitën gjatë, sot në Vatikan.  Në mesazhin e Pashkës, “Urbi et Orbi”, Ati i Shenjtë bëri thirrje për respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare e shfaqi shpresën për një shkëmbim të të burgosurve mes Rusisë e Ukrainës.

Për më tepër, Papa Françesku bëri sërish thirrje për akses të garantuar në ndihmën humanitare në Gaza, duke kërkuar edhe lirimin e pengjeve të rrëmbyer tetorin kaluar e një armëpushim të menjëhershëm në Lindjen e Mesme.

Le të mos lejojmë që armiqësitë e vazhdueshme të vazhdojnë të kenë pasoja serioze mbi popullatën civile tashmë të rraskapitur dhe veçanërisht mbi fëmijët. Sa vuajtje shohim në sytë e fëmijëve! Fëmijët në ato vende me luftë kanë harruar që të buzëqeshnin.

Me vështrimin e tyre na pyesin: pse? Pse kaq shumë vdekje? Pse kaq shumë shkatërrim? Lufta është gjithmonë një absurditet dhe një disfatë! Le të mos lejojmë që erërat më të forta të luftës të fryjnë mbi Europë dhe Mesdhe! Mos u dorëzoni në logjikën e armëve e riarmatimit! Paqja nuk ndërtohet kurrë me armë, por duke zgjatur duart dhe duke hapur zemrat.

Të mos harrojmë Sirinë, vend që prej 14 vitesh po vuan pasojat e një lufte të gjatë e shkatërruese. Kaq shumë vdekje, njerëz të zhdukur, aq shumë varfëri dhe shkatërrim, presin përgjigje nga të gjithë, duke përfshirë komunitetin ndërkombëtar.

Në një mënyrë të veçantë, sot vështrimi im kthehet nga Libani, i prekur nga një bllokim institucional e një krizë e thellë ekonomike dhe sociale, tashmë e rënduar nga armiqësitë në kufirin me Izraelin.

Papa Françesku i drejtoi “një mendim të veçantë” rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku po ndërmerren hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian.

Dallimet etnike, kulturore dhe të besimit, nuk duhet të jenë shkak përçarjeje, por të bëhen burim pasurie për të gjithë Europën e për mbarë botën.

Po kështu, nxiti bisedimet Armeni-Azerbajxhan, që me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, të mund të vazhdojnë dialogun, të ndihmojnë të zhvendosurit, të respektojnë vendet e kultit të besimeve të ndryshme fetare e të arrijnë në një marrëveshje përfundimtare paqeje, sa më shpejt të jetë e mundur.

Papa: Terroristët të pendohen e të konvertohen, lutem për viktimat!

Krishti i ringjallur t’i hapë një rrugë shprese njerëzve që në pjesë të tjera të botës vuajnë dhunën, konfliktin, pasigurinë ushqimore, si dhe efektet e ndryshimeve klimatike. Jepini ngushëllim viktimave të çdo forme terrorizmi. Ne lutemi për ata që kanë humbur jetën dhe kërkojmë pendimin e konvertimin e autorëve të krimeve të tilla.

Mbroni çdo jetë! Jo më aborte, uri, abuzime, mungesë kujdesi!

Në këtë ditë në të cilën ne festojmë jetën që na është dhënë në ringjalljen e Birit, le të kujtojmë dashurinë e pafund të Zotit për secilin prej nesh: një dashuri që tejkalon çdo kufi dhe çdo dobësi.

Megjithatë, sa shpesh përçmohet dhurata e çmuar e jetës. Sa fëmijë nuk mund ta shohin as dritën, sa vdesin nga uria ose janë të privuar nga kujdesi thelbësor ose janë viktima të abuzimit dhe dhunës? Jetët bëhen objekt komercializimi për tregtinë në rritje të qenieve njerëzore.

Drita e ringjalljes na ndriçoftë mendjet dhe na i ktheftë zemrat, duke na bërë të vetëdijshëm për vlerën e çdo jete njerëzore, e cila duhet të mirëpritet, të mbrohet e të dashurohet.

Në sheshin e Shën Pjetrit, sot ishin 60 mijë besimtarë, sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.