Bota

Pas 10 ditësh, Finlanda vendos për anëtarësimin në NATO edhe pse Rusia kundërshton!

Më 12 maj, Finlanda vendos rreth aplikimit për anëtarësim në NATO. Lajmin e raporton gazeta finlandeze Iltalehti, duke cituar burime zyrtare pranë qeverisë.

Vendimi merret me dy hapa: fillimisht, presidenti finlandez, Sauli Niinisto do të njoftojë se ka dhënë miratimin ndërsa grupet parlamentare duhet ta japin dritën jeshile, pas tij.

Debati në Finlandë për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s ka nisur që nga koha kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt. Një diskutim i ngjashëm po zhvillohet edhe në Suedi. Prej dekadash, të dyja këto vende janë ushtarakisht neutrale. Finlanda ndan një kufi prej 1 mijë e 300 kilometrash me Rusinë, por Suedia nuk ka kufi të përbashkët me shtetin rus. Moska ka paralajmëruar pasoja për NATO-n nëse lejon anëtarësimin e Finlandës e të Suedisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se “zgjerimi i NATO-s nuk do të sillte më shumë stabilitet në Europë”, ndërsa Dmitry Medvedev, anëtar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, u shpreh se “nëse Finlanda dhe Suedia i bashkohen NATO-s, Moska do të detyrohet të forcojë mbrojtjen e saj në Baltik, duke vendosur armë bërthamore”.

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jill Biden do të vizitojë Rumaninë dhe Sllovakinë nga data 5 deri më 9 maj, për të takuar anëtarë të shërbimeve amerikane atje, refugjatë ukrainas, punonjës të organizatave humanitare e të tjerë. Rumania dhe Sllovakia, vende anëtare të NATO-s e të Bashkimit Europian kanë pranuar qindra mijëra refugjatë nga Ukraina, që prej datës 24 shkurt.

Udhëtimi i zonjës Biden pason vizitën në Kiev të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, fundjavën që sapo lamë pas. Pelosi u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, afro 5.5 milion njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit. Mbi 3 milion u vendosën në Poloni.

Ndërkaq, Rumania pranoi 817 mijë e Sllovakia gati 372 mijë. Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka propozuar një paketë të madhe, në vlerë prej 33 miliard dollarësh për armatimin dhe mbështetjen e Ukrainës.