Aktualitet

PD bëhet me katër nënkryetarë, ndryshimet Kushtetuese në plan të parë!

Partia Demokratike bëhet me katër nënkryetarë, ku dy prej tyre janë gra. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, kanë marrë miratimin për të qenë nënkryetarë të PD, Jorida Tabaku, Grida Duma, Alfred Rrushaj dhe Enkelejd Alibeaj. Gjithashtu, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar është votuar për kryetar të këtij Këshilli Edi Paloka, duke zëvendësuar Bujar Nishanin, ndërsa është rikonfirmuar në detyrë si Sekretar i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi.

Ndryshimet Kushtetuese, duket se do të jenë ndër aksionet e para të PD, në nisje të legjislaturës së re të Kuvendit. Kështu deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha  gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD. Në këtë mënyrë, Basha godet paktin Berisha-Rama të arritur në vitin 2008. Sipas Bashës, ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më “nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci”.

Sikurse edhe kreu i PS-së, Edi Rama, edhe kryedemokrati Lulzim Basha do t’i besojë më shumë poste të rëndësishme grave në ekipi e ri brenda PD-së. Në fjalën e tij në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Basha u shpreh se ky ekip i ri, do të ketë detyrën për të çuar përpara ‘betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend’.

“Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për çlirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.

Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.

Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.

Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve”, tha Basha.