Aktualitet Politikë

Basha: Komisioni i Reformës Zgjedhore u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë!

Në Kuvendin Zgjedhor të Degës 3 të PD-së në Tiranë, kryetari Lulzim Basha foli për Amnistinë Penale duke theksuar se ka dy qëndrime.

Në radhë të parë, ne dolëm para demokratëve, pastaj para qytetarëve dhe ju thamë: po, është një proces normal humanitar. Partia Demokratike e mbështet. Ka dy qëndrime, qëndrimi parë nuk mund të përfitojnë njerëzit të cilët janë të dënuar nga GJKKO-ja, pasi këta njerëz kanë vjedhur nga xhepat e shqiptarëve, kanë shkelur mbi mundin e tyre, janë tallur me djersën dhe gjakun e tyre. Sepse duke i liruar këta që u arrestuan u gjykuan, u dënuan si rezultat i Reformës në Drejtësi, lëshohet një mesazh i qartë: ju i dënoni ne i lirojmë. Kjo është një shuplakë jo vetëm në fytyrën e drejtësisë, por është një grusht në barkun e zbrazur të miliona shqiptarëve, të mijëra e mijëra shqiptarëve që kanë zbritur nivelin e tyre të jetesës, pikërisht prej korrupsionit të këtyre zyrtarëve.

Dhe qëndrimi i dytë, të përfitojnë nga amnistia të gjithë protestuesit e Partisë Demokratike, të gjithë protestuesit e opozitës dhe qytetarë të tjerë, të ngritur kundër korrupsionit dhe kanë një vit, dy vite, tre vite e më shumë që vërtiten dyerve të gjykatave, sepse patën guximin të protestonin kundër korrupsionit. Këto ishin dy qëndrimet tona.

E zvarritën amnistinë derisa një ditë të bukur thanë: ejani ta bëjmë, sepse brenda kishin futur atë që në gjuhën popullore quhet “mishi i dhisë”. Amnisti me mish dhie do të thotë amnisti për të korruptuarit e jo për protestuesit kundër korrupsionit. Këtë bënë. Por, nuk e bënin dot pa disa vota nga ata që ulen në atë karrige me votat e opozitës, me mundin, djersën dhe gjakun e demokratëve.

Sa i përket Reformës Zgjedhore, Basha tha se ka më shumë se dy muaj që komisioni përkatës u asgjësua.

Për të ndërtuar bashkë një rrugë përmes së cilës ta zgjojmë Shqipërinë nga ky ankth e t’i japim drejtimin e merituar drejt përparimit, drejt zhvillimit, drejt mirëqenies për çdo shqiptar, për këtë arsye kemi propozuar Reformën Zgjedhore me katë kolona, të cilat i shërbejnë çdo shqiptari. Siç e dini fare mirë, po të dalim jashtë, i përqafon çdo qytetar, pavarësisht prej bindjeve politike.

Për listat e hapura, për votimin elektronik dhe numërimin elektronik, për Shqipërinë një zonë që garanton barazinë e votës e për votën e diasporës. Ky është një tjetër rast ku duket qartë se kush e bën betejën për shqiptarët dhe kush e bën këtë betejë për demokratët e kush është kthyer në rimorkio të urbanit të prishur të Edi Ramës.

E prishën Komisionin e Reformës Zgjedhore se do të ndërtonin një tjetër celulë 3 plus 3. Ka më shumë se dy muaj që komisioni u asgjësua me dorën e atyre që i thonë vetes opozitë, por që në fakt janë rimorkio e Edi Ramës.