Aktualitet

Për më shumë pension, regjistroi si vajzën e tij një fëmijë që nuk ekzistonte/Mashtrimi në Kukës zbulohet pas 21 viteve, pranga një personi!

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kukës ku një 57-vjeçar ra në pranga për veprat penale “Mashtrimi” e “Falsifikimi i vulave, i stampave dhe i formularëve”. 21 vite më parë, shtetasi me iniciale Xh.S., falsifikoi dokumente duke regjistruar si vajzën e tij identitetin e një fëmije që nuk ekziston. Më pas, më 2021-shin, e shpalli të vdekur këtë fëmijë për ta çregjistruar nga Gjendja Civile.

Nga hetimet, rezultoi se 57-vjeçari veproi në këtë mënyrë, për të përfituar pension më të lartë, bazuar në ligjin e kohës.

Nën hetim për shpërdorim të detyrës janë mjeku me iniciale A.E dhe administratori i agjencisë funerale, po me iniciale A.E. Hetimet e detajuara do të tregojnë nëse këta shtetas kanë qenë apo jo të implikuar në nxjerrjen e dokumenteve false që ka përdorur shtetasi Xh.S.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar të DVP Kukës kanë siguruar informacione për një rast të falsifikimit të dokumenteve, me qëllim përfitimin, dhe mbi këtë bazë kanë iniciuar një procedim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për arrestimin e shtetasve përgjegjës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, tre të rinj ranë në pranga për shpërndarje droge në plazhin e Durrësit. Blutë finalizuan operacionin policor te koduar “Hundreds 2”, duke kapur në flagrancë shtetasit e moshave 17, 18 dhe 19-vjeç. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin doza kanabisi në lokalet e zonës së plazhit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një sasi lëndë narkotike kanabis sativa e ndarë në dhjetëra doza, të gatshme për shitje.

Në bazë të provave të siguruara, specialistët e seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” të kësaj drejtorie, kapën dhe vunë në pranga tre të rinjtë banues në Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për hetime të mëtejshme.