Aktualitet Travel

Për pushime të çmendura, por të përballueshme, revista sllovene “City Magazine” ka edhe Shqipërinë në listë!

Shqipëria turistike vazhdon të promovohet gjerësisht në mediat botërore dhe për ata që ende nuk e kanë ndarë mendjen se ku të pushojnë këtë verë, por po kërkojnë destinacione të përballueshme për pushime të “çmendura”, revista sllovene “City Magazine” e ka një ide.

Në një artikull të shkruar nga Nika Arsovski, prezantohet një listë e vendeve “miqësore me portofolin”, por në të njëjtën kohë premtojnë përvoja të paharrueshme.

Nga qytetet historike në parajsat tropikale, çdo destinacion ofron një ndërthurje unike të kulturës, bukurisë natyrore dhe aventurës.

Paketoni valixhet dhe bëhuni gati për të eksploruar!

Shqipëria

Shqipëria është një vend me reliev të thyer, plazhe të pacenuara dhe histori të lashtë që presin për t’u eksploruar.

Zbuloni qytetin e Beratit të përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i njohur ndryshe si “Qyteti i një mijë dritareve”, me arkitekturën e stilit otoman të ruajtur mirë dhe kështjellën mahnitëse në majë të kodrës.

Shëtisni rrugët e ngushta me kalldrëm ose eksploroni xhamitë dhe kishat e qytetit.

Për adhuruesit e plazhit Shqipëria ofron gjithçka sipas dëshirës së tyre.

Në Shqipëri mund të gjeni shumë plazhe me rërë përgjatë vijës së saj të pacenuar bregdetare, duke përfshirë plazhet piktoreske të Sarandës, Himarës dhe Dhërmiut.

Shqipëria është renditur mes 10 destinacioneve të përballueshme për pushime të paharrueshme në vitin 2024. Mes vendeve të rajonit, në këtë listë është edhe Ohri i Maqedonisë së Veriut.

1-Shqipëri

2-Budapest, Hungari

3-Meksiko Siti, Meksikë

4-Mirisa, Sri Lanka

5-Goa, Indi

6-Ohër, Maqedonia e Veriut

7-Gambia

8-Talin, Estoni

9-Kajro, Egjipt

10-Republika Dominikane

Agjencitë e huaja kanë konfirmuar se që në shkurt kanë shitur 60% të paketave të Shqipërisë, që vijnë nga kontratat me garanci. Golemi dhe Durrësi do të vijojnë të kryesojnë turizmin e organizuar, teksa edhe në Vlorë këtë vit është rritur pesha.

Saranda ka zgjedhur të orientohet tek rezervimet online, në një përpjekje për të shitur me çmime më të larta se kontratat me garanci dhe kjo po funksionon, pasi 50-70% e kapacitetit është rezervuar. Teksa panorama në tërësi duket optimiste, frika më e madhe e bizneseve të turizmit është si do ta përballojmë një rekord të ri vizitorësh me një infrastrukturë të kufizuar dhe SOS-it të biznesit për fuqi punëtore.