Aktualitet

Përfituan 30 mijë euro nga mashtrimi me pronën, në pranga 4 persona!

Policia e Tiranës arrestoi katër persona për akuzën e mashtrimit. Sipas njoftimit zyrtar, të ndaluarit kishin mashtruar një shtetas, duke i premtuar regjistrimin e pronës në këmbim të shumës 30 mijë euro. Uniformat blu sqarojnë se operacioni policor u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Prokurorinë e Tiranës.

Si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda pro-aktive, për dokumentimin me prova ligjore të një rasti mashtrimi me pasoja të rënda, që kryhej prej disa vitesh, nga një çift bashkëshortësh dhe vajza e tyre, u finalizua operacioni policor i koduar “Utopia”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit I. S., 73 vjeç dhe Sh. S., 68 vjeçe, bashkëshortë, vajza e tyre, shtetasja R. S., 48 vjeçe, të tre banues në Pogradec, si dhe shtetasja E. I., 31 vjeçe, banuese në Tiranë.

Gjatë periudhës hetimore u provua se shtetasit I. S., Sh. S. dhe R. S. kishin mashtruar prej disa vitesh, një shtetas, me pretendimin se do të ndikonin për t’i regjistruar një sipërfaqe toke, në organet kompetente. Shtetaset Sh. S. dhe R. S. u kapën në flagrancë duke i marrë 30 000, këtij shtetasi, për këtë qëllim. Ndërkaq, shtetasja E. I., punonjëse në një bankë të nivelit të dytë, u arrestua pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka kaluar në llogarinë e vet, një shumë parash të shtetasit të mashtruar, të cilën më pas ia ka dorëzuar shtetaseve Sh.S dhe R.S.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 30 000 euro, 1 automjet, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.