Aktualitet Sport

Pezullohen zgjedhjet e 2 marsit për kreun e FSHF-së!

Me vendim gjykate, pezullohet në të gjithë vendin gara për zgjedhjet e 2 marsit në FSHF, Federatën Shqiptare të Futbollit. Vendimi është marrë sot nga Gjykata e Tiranës, e cila vetëm pak ditë më parë rrëzoi edhe votimin e realizuar në shoqatën e kryeqytetit. Gara është bllokuar deri sa Gjykata e Tiranës të ketë bërë shqyrtimin e padive për manipulime.

Gjithashtu, Gjykata e Tiranës ka vendosur që FSHF-ja nuk mund të bëjë zgjedhje pa u shqyrtuar më parë ankesat e shoqatave rajonale të sportit.

Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës ka pezulluar edhe Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së për zgjedhjet e 2 Marsit si dhe gjithë Komisionin e Verifikimeve në FSHF për zgjedhje.

Më 11 shkurt ishte zhvilluar mbledhja e Komisionit të Verifikimit, që pati në axhendë verifikimin e ligjshmërisë së propozimeve dhe integritetin e kandidatëve të propozuar për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në përfundim të mbledhjes, që erdhi një ditë pas përfundimit të afatit për depozitimin e kandidaturave për postin e presidentit të FSHF-së dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, sipas njoftimit nga Federata, pasi u shqyrtuan propozimet e sjella nga anëtarët, rezultoi se për postin e kandidatit për President të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë numrin e propozimeve të nevojshëm personat e mëposhtëm: Armand Duka, Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova.

Por me vendimin e sotëm të Gjykatës Tiranë, zgjedhjet për FSHF të planifikuara për më 2 mars do të shtyhen, derisa të mbarojë fillimisht gjykimi i shkeljeve.