Bota Botë e Çuditshme

Piloti detyrohet të bëjë ulje emergjente pasi brenda avionit ndodhej një kalë…

Së fundmi, një incident i pazakontë është regjistruar në një fluturim të një avioni Boeing 747, që ishte nisur nga Nju Jorku për në Belgjikë. Piloti i avionit transportues është detyruar të bëjë ulje emergjente pasi një kalë ka arritur të dalë nga stalla e tij dhe të lëvizë lirshëm në bordin e Boeing 747. Incidenti ka ndodhur në një fluturim të kompanisë islandeze “Air Atlanta”.

Në një regjistrim audio të komunikimit me kontrollin e trafikut ajror, dëgjohet piloti teksa i informon për kafshën e arratisur dhe kërkon të ulet në një aeroport 30 minuta pas ngritjes në ajër. “Po zotëri, ne jemi një aeroplan mallrash”,-dëgjohet të thotë piloti në regjistrimin audio të kontrollit të trafikut ajror të marrë nga Live ATC .

“Ne kemi një kafshë të gjallë, një kalë, në bordin e aeroplanit dhe kali arriti të dalë nga stalla e tij. Ne nuk kemi problem për të fluturuar, por duhet të kthehemi në Nju Jork.” Të dhënat e FlightRadar24 treguan se avioni ishte ngjitur në lartësinë 9448 metra përpara se të detyrohej të bënte një kthesë urgjente në brigjet e Bostonit.

Në audion e regjistruar kuptohet se piloti ka lëshuar edhe rreth 20 ton karburant mbi Atlantik, për t’u siguruar që avioni nuk ishte mbi kufirin e peshës së sigurt për ulje. Piloti po ashtu kërkon nga kontrolli i trafikut ajror që një veteriner të jetë i pranishëm kur avioni të ulet në aeroportin JFK të Nju Jorkut. “Ne kemi një kalë në vështirësi.” Air Atlanta Icelandic, linja ajrore charter që operon fluturimin, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së ABC News për koment.