Bota

Plani i evakuimit të civilëve nga Rafahu, Izraeli informon Amerikën!

Gjatë kësaj jave, Izraeli informoi zyrtarët e administratës së presidentit amerikan, Joe Biden lidhur me planin për evakuimin e civilëve palestinezë, para se shteti hebraik të ecë përpara me një operacion të mundshëm në qytetin jugor të Gazës, Rafah. Izraeli synon të kryejë operacion në Rafah, që të shtypë Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Zyrtarë amerikanë që sipas Associated Press nuk janë të autorizuar të flasin publikisht për këto bisedime të ndjeshme, thanë se plani i detajuar nga izraelitët nuk ka ndryshuar qëndrimin e administratës amerikane që një ofensivë në Rafah do të rrezikonte shumë jetë të civilëve të pafajshëm palestinezë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do të kryejë operacion ushtarak në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve nga Biden e të tjerë zyrtarë perëndimorë se një veprim i tillë do të rezultonte në vdekjen e më shumë civilëve dhe do të përkeqësonte situatën tashmë të rëndë humanitare.

Administrata Biden ka thënë se do të ketë pasoja për Izraelin nëse kryen operacion pa një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve.

“Në mungesë të një plani të tillë, ne nuk mund të mbështesim një operacion të madh ushtarak në Rafah sepse dëmi do të ishte përtej të pranueshmes”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dje në mbrëmje gjatë Forumit Sedona, një ngjarje e organizuar në Arizona nga Instituti McCain.

Rreth 1.5 milion palestinezë janë strehuar në Rafah për shkak të luftës që nisi më 7 tetor kur radikalët e Hamasit sulmuan Izraelin, duke vrarë afro 1.200 persona e rrëmbyer 250 të tjerë.

Agjencia për Ndihmë e Kombeve të Bashkuara tha se qindra mijëra persona “do të ishin në rrezik që të vriteshin” nëse Izraeli sulmonte Rafahun. Ky qytet që gjendet në kufi me Egjiptin, po ashtu është pika nga ku hyn ndihma humanitare për palestinezët e zhvendosur nga lufta.

Zyrtarët shtuan se plani i evakuimit për të cilin izraelitët njoftuan SHBA-të nuk është finalizuar, duke theksuar se të dyja palët ranë dakord që të vazhdonin diskutimet për këtë çështje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre iu tha gazetarëve se nuk ka një plan “gjithëpërfshirës” për një operacion të mundshëm në Rafah, të cilin izraelitët ia kanë prezantuar Shtëpisë së Bardhë.

Por, operacioni u diskutua gjatë telefonatave të realizuara mes Bidenit e Netanyahut, si dhe të takimet virtuale mes zyrtarëve të lartë izraelitë e atyre amerikanë për sigurinë kombëtare. Ne duam të sigurohemi që bisedimet të vazhdojnë sepse është e rëndësishme që të mbrohet jeta e këtyre palestinezëve, jeta e të pafajshmëve.