Aktualitet

Plotësimi i vakancave në KLGJ, Sokol Sadushi evidenton disa problematika!

Emona Muçi, Gentiana Muçaj zgjidhen anëtare të KLGJ-së. Para votimit, zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi çeli mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, duke theksuar se sfidë thelbësore e gjyqtarëve mbetet rikthimi i besimit te sistemi i drejtësisë. Sadushi evidentoi disa nga problematikat e sistemit:

Ende ka gjyqtarë në sistem, të cilët nuk kanë asnjë vlerësim etiko profesional, megjithëse kanë më shumë se një dekadë në detyrë. 40 magjistratët e diplomuar këtë vit janë ende të pa emëruar, ndërkohë që sistemi ka nevojë emergjente për to; kancelarët e gjykatave janë të pakonfirmuar, për shkak të mos mbylljes së procedurës për vlerësimin profesional pranë Shkollës së Magjistraturës. Gjykatat kanë vështirësi në administrimin e buxhetit, për shkak të konceptit se çdo shpenzim duhet të miratohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkohë që një ndër kolonat e gjyqësorit të pavarur lidhet me vet-administrimin e buxhetit. Trupa gjyqësore ndjen shqetësim për cenimin e standardeve të promovimit dhe ngritjes në detyrë mbi bazë merite, për shkak të mundësisë së një trajtimi të pabarabartë në pikëzim dhe në renditje, referuar diskrecionit të pakufizuar të anëtarit të Këshillit; Mungon një platformë komunikimi efiçente, në të cilën adresohen në kohë reale shqetësimet e përditshme të trupës gjyqësore dhe që marrin zgjidhje nga Këshilli, pa i kanalizuar në procedura burokratike;  kërkohet të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve të padrejta, të shumta e të vazhdueshme deri edhe në kërcënime që u bëhen gjyqtarëve për shkak të funksionit, etj, etj.

Gjykatat kanë nevoja emergjente në drejtim të përmirësimit thelbësor të infrastrukturës gjyqësore, që të mos mbetet asnjë gjykatë në situata të mjerueshme, pa salla gjykimi dhe pa ambientet më normale të punës, me problematika serioze për mënyrën e administrimit dhe arkivimit të dosjeve, por edhe për çështjet e sigurisë. Plotësimi me stafin e nevojshëm administrativ dhe mbështetës, në veçanti me ndihmës ligjorë, pa ngurruar edhe gjetjen e zgjidhjeve ligjore që motivojnë ngritjen e tyre në karrierë brenda sistemit, si një ndër rrugët më efikase për parandalimin e tendencës në rritje të back-logut. Funksionimi i një programimi elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore, që të jetë unik për të gjithë sistemin; digjitalizimit të të gjithë proceseve manuale, tejet të vjetërsuara tashmë, për të shkuar në procesin e integruar digjital gjyqësor nga fillimi deri në përfundim të tij.