Rajoni

Presidencialet e Malit të Zi pa fitues, më 2 prill balotazhi Gjukanoviç-Milatoviç!

Ashtu siç pritej, u mbyllën pa një fitues zgjedhjet presidenciale të një dite më parë në Malin e Zi. Më 2 prill, presidenti në detyrë, Milo Gjukanoviç, në pushtet prej më shumë se tre dekadash si kryeministër e si kryetar shteti do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Milatoviç. Në raundin e djeshëm, asnjëri prej shtatë kandidatëve në garë nuk arriti të fitojë 50 për qind të votave.

Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 63.6%. Gjukanoviç u shpreh “i kënaqur” me rezultatin.

Unë kam fituar më shumë se 120 mijë vota, ky është një rezultat i vlefshëm. Kjo është përparësi serioze ndaj kandidatit tjetër. Ne jemi të gëzuar për një nivel të tillë të mbështetjes dhe një gjë e tillë përbën bazë të mirë që do të na çojë drejt fitores.

Ndërkaq, ekonomisti pro-europian nga Lëvizja “Europa Tani”, Milatoviç deklaroi se rezultati i tij përbën “fitore në këto zgjedhje presidenciale”.

Kam premtuar se do të fitojmë dhe fituam. Kjo është fitore për të gjithë ata që janë diskriminuar në 30 vitet e fundit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga Mali i Zi, për ata që nuk ka pasur drejtësi. Ne do ta dërgojmë Gjukanoviçin në pension politik, më 2 prill.

Rezultati zyrtar nuk pritet të publikohet disa ditë, për shkak të shqyrtimit të ankesave.  Krahas Gjukanoviçit e Milatoviçit, në garë ishin edhe kreu i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiç, Aleksa Beçiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve, Goran Daniloviç, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar, Draginja Vuksanoviç Stankoviç nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Raduloviç, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në rrjetet sociale.

Mali i Zi numëron rreth 625 mijë banorë, ndërsa të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kishin 542 mijë e 154 qytetarë, referuar shifrave zyrtare. Rreth 30% e shtetasve në Mal të Zi identifikohen si serbë e duhet theksuar se shumë prej tyre e kanë kundërshtuar shpalljen e pavarësisë nga Serbia, në vitin 2006.

Po ashtu, më shumë se 70% e popullsisë mbështet fuqimisht Kishën Ortodokse Serbe me lidhje të forta në vend e që njihet për një histori të ndërhyrjes në punët e pavarura të Malit të Zi. Madje, drejtoi opozitën ndaj Partisë Demokratike të Socialistëve DPS, të Milo Gjukanoviçit në zgjedhjet e vitit 2020.

Kjo forcë politike pasardhëse e komunistëve të epokës jugosllave, vazhdimisht ka qeverisur nga viti 1991 deri më 2020-ën dhe është akuzuar për korrupsion, nepotizëm e lidhje me krimin e organizuar.