Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Presidenti Biden uron 28 Nëntorin: “Amerika ju mbështet!”

Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr.

Në këtë mesazh, shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehet se “këtë vit ne përkujtojmë tridhjetëvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe festojmë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe mbi vlerat tona demokratike dhe përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, që ndajmë sa bashku”.

Joe Bide thekson se ato që Shqipëria ka arritur që nga viti 1991 janë mbresëlënëse.

Sot, Shqipëria është një vend mik i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe një anëtare e sapo futur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë ndërsa ju forconi institucionet tuaja demokratike, përmbushni reformat e rëndësishme në sektorin e drejtësisë, luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj europiane.

Marrëdhënia jonë dypalëshe në rritje të tregtisë dhe investimeve, sidomos në sektorin e rëndësishëm energjetik, nënvizon presidenti i SHBA-së, është kyçe për rimëkëmbjen e Shqipërisë si dhe për thellimin e partneritetit tonë.

Dëshiroj t’i uroj popullit shqiptar, edhe në emër të të gjithë amerikanëve, një Ditë të paqtë të Pavarësisë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Shqipërinë një vend mik, partner dhe aleat.