Aktualitet

Presidenti dekretoi ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, reagon Gazment Bardhi!

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Rithemelimit, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me dekretimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura. Sipas tij, ky është një ligj që shkatërron zonat e mbrojtura, ndërsa dekreti që i bëri presidenti është një provë se për “Kreun e Shtetit prevalon interesi korruptiv dhe jo interesi i qytetareve shqiptarë”.

Bardhi thekson se Presidenti nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës.

Deputeti demokrate shprehet se që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, ‘që lidhej me interesat personale të tij’.

“Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”, thuhet ne reagimin e Bardhit.

Reagimi i Bardhit: 

Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.

Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.

Që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues.

Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë.