Aktualitet Politikë

Presidenti i ri i Republikës zgjidhet të shtunën

Partia Socialiste do të thërrasë në fundjavë seancën parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, bëjnë me dije burime nga PS.

Seanca pritej që të zhvillohej të hënën, por do të mbahet një ditë para për shkak të axhendës së kryeparlamentares Lindita Nikolla e cila do të zhvillojë një vizitë jashtë vendit.

Kryesia e PS do të mblidhet ditën e premte në orën 17:00, ku ndër të tjera në axhendë është edhe ecuria e procedurave të zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe vendimmarrja e Partisë Socialiste.

Dje Kuvendi ezauroi edhe raundin e tretë për zgjedhjen e kreut të shtetit, duke mos u paraqitur asnjë kandidat për votim.

Numri një i grupit socialist, Taulant Balla tha se në raundin e 4-rt do të propozojnë një kandidat për president. Sipas Ballës, “askush nuk mund ta mbajë peng procesin”.

Ne nuk do ta lëmë vendin pa president. Dëshira jonë është të dialogojmë me gjithkënd që dëshiron që bashkë me ne, të ndajë përgjegjësinë e zgjedhjes së presidentit. Askush nuk mund të marrë peng procesin e zgjedhjes së presidentit. Kemi qenë në gatishmëri për të bashkëpunuar për zgjedhjen e presidentit. Besoj se kemi ardhur në momentin përmbylljes së këtij procesi. Kërkojmë komunikim, dialog më të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës.

Në raundin e katërt, grupi i PS-së do të propozojë një kandidat apo kandidate, në varësi të një procesi që jemi duke e vijuar prej datës 28 prill. Kemi identifikuar dhe vazhdojmë të identifikojmë kandidaturat. Shpresoj të jetë përfundimtar, raundi i katërt.

Ndërkohë, kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se “nuk donin president të njëanshëm, por mbi palët”.

Bëmë detyrën tonë politike, morale dhe kushtetuese për t’i dhënë vendit një president mbi palët. Morëm pjesë në proces, ofruam rregullat e lojës, por u pa qartë se nga ana e Ramës, ndodhi ajo që do të bëjë gjithmonë: të mos mbajë fjalën. Ai u tërhoq. Eshtë detyrë e opozitës për të mos e çuar vendin në një pozitë për të zgjedhur presidentin në mënyrë të njëanshme. Si element të domosdoshëm, kjo kërkon pjesëmarrjen si detyrim politik.

Maxhoranca nuk mori pjesë në proces, vetëm ne morëm pjesë. Nëse do të ecnim me kandidatura të njëanshme, përsëri do të ishte president i njëanshëm. Qëllimi nuk ishte për të ecur me axhendë të njëanshme. Duhet të ishte një president i përbashkët dhe ne caktuam axhendën. Ishte ideja të zgjidhej një president mbi palët.

Sipas Kushtetutës, në raundin e 4 dhe të 5-të, Presidenti zgjidhet me 71 vota.