Dilema Sociale Sociale

Profesor Kabo: Nuk i takon kryeministrit të vendosë që nga vaksinat, mbjellja e pemëve e deri tek ngjyrat…

Sot në programin “Dilema Sociale” ishte i ftuar profesor, Përparim Kabo, për të diskutuar rreth lajmërimit të fundit të kryeministrit Rama që ka ngjallur shumë përçarje dhe polemika.

Kryeministri, Edi Rama deklaroi dje nga “Air Albania” se, ditën e dielë do të nisë vaksinimi për personalitetet e vendit, mbi 80 vjeç.

I ftuar në një linjë telefonike, në Top Albania Radio, profesori Kabo shpjegon arsyen pse njerëzit janë ndarë në këtë lajmërim.

Kjo ndodh sepse këtu institucionet nuk e ushtrojnë autoritetin që kanë, nuk i takon kryeministrit që të merret me vaksinat, ka një komitet shtetëror që merret me menaxhimin e pandemisë. Komiteti duhet t’i vendosë kriteret edhe rregullat, jo kryeministri, që nga mbjellja e pemëve, ngjyrosja e mureve, edhe kush edhe kur do ta bëjnë vaksinën… duhet të heqim dorë nga kjo formë, prandaj njerëzit fyhen. Në qoftë se njerëzit do të ishin në rradhë dhe do të shikonin që do të vinte Tinka Kurti dhe do të rrinte në rradhë, të gjithë do t’i thonin ‘dil përpara’… kjo është arsyeja!

Gjithashtu ai shton se ky është një keqkuptim nga ana e popullsisë sepse situata nuk është në atë nivel që ata që do ta bëjnë të dytët do të vdesin.

Problemi është se ai person që ndodhet në rrezik për jetën duhet të ketë shansin i pari për ta bërë vaksinën.

Ky është shqetësimi, por këto vendime nuk duhet të merren nga kryeministri dhe ndryshimi i kësaj rutine duhet të nisi që nga ne, nuk duhet lejuar, duhet të heqim dorë.