Rajoni

Propozimi europian, opozita kërkon raportim në Kuvend nga kryeministri Kurti!

Në Kosovë, liderë të partive opozitare kërkojnë që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend mbi dialogun Kosovë-Serbi. Kjo pas takimit të nivelit të lartë që Kurti zhvilloi me presidentin serb Vuçiç, të hënën në Bruksel. Sot në seancë plenare, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku tha se duhet ndryshuar rendi i ditës, për të përfshirë një raportim të kryeministrit para deputetëve.

Abdixhiku kritikon propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në parim, Kurti e Vuçiç ranë dakord me planin.

Propozimi europian që nuk është prezantuar në Kuvend, u paraqit po mbrëmjen e 27 shkurtit. Nga ky publikim u vërtetuan të gjitha brengat tona të ngritura në këtë Kuvend. Ajo as nuk ishte finale, as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë.

Preambula e këtij propozimi që ndër të tjera përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën. Marrëveshja Kurti-Vuçiç përveçse tejkalon trashëgiminë e së shkuarës, sjell neturalitetin ndaj statusit politik dhe atë si vlerë.

Kryetari i partisë tjetër opozitare, PDK, Memli Krasniqi kritikoi mungesën në Kuvend të Kurtit.

Sot është dita e katërt që prej kur kryeministri ka deklaruar se e pranon marrëveshjen në bazë të propozimit europian. Një politikan i përgjegjëshëm do të kishte ardhur vetë, pa e ftuar. Por, kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka sot.

Kërkesën dhe komentet e opozitës mbi propozimin europian i kundërshtoi Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dua t’ia kujtoj Lumir Abdixhikut se nga e njëjta foltore e ka akuzuar kryeministrin për izolim të Kosovës, për mosbashkërendim me aleatët ndërkombëtarë.

Në propozimin europian nuk përmendet në mënyrë të prerë njohja reciproke. Por, në nenin dy të propozimit thuhet se “palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës”.