Rajoni

Kurti: Draft-statuti për Asociacionin ndërpret trashëgiminë e mosnjohjes së Kosovës!

Para deputetëve, kryeministri Albin Kurti tha se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.

E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial.

Kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 sepse asisoj do të ishte i padiskutueshëm.

Kurti tha se zyrtarisht draft-statutin, ende nuk e ka pranuar.

Ta pranosh, nënkupton të pajtohesh që të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit. Ofrova që ta nënshkruaj atë dhe si rrjedhojë, ta pranoj.

Draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj gërmës së Kushtetutës, më shumë se frymës së saj. Megjithatë, në draft parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Me kërkesë të partive opozitare, Kurti raportoi para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë e për takimet e fundit në Bruksel.

Para deputetëve, ai deklaroi se nuk mund të ofrojë detaje të draft-statutit, por mund të japë vetëm qëndrimin e tij politik.

E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë që mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Pra, nuk do paragjykoj e as ndërhyjë në kompetencat e komunave të organeve qendrore e kështu me radhë.

E treta, drafti ia mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës e rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territorin, a shkëmbim territorial a bashkim për këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë që vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe në kufijtë e Republikës së Kosovës. Kjo i bie që Serbia do të duhej të hiqte dorë nga premisa që serbët në Kosovë jetojnë në Serbi apo që serbët në Kosovë mund të kenë aspirate shkëputëse territoriale apo autonomi jashtë Republikës së Kosovës, jashtë ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës.

Pas takimeve me liderët europianë dhe të Bashkimit Europian në Bruksel më 26 tetor, Kurti deklaroi se ka pranuar propozimin për draft-statutin e Asociacionit dhe se ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kjo u kundërshtua nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç.