Rajoni

Provokon sërish ministri serb Vulin, thotë se masakra e Reçakut është truk!

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin provokon duke e quajtur “gënjeshtër të madhe” e “falsifikim të tmerrshëm”, masakrën ndaj civilëve shqiptarë, në fshatin Reçak të Kosovës. Ky ishte edhe momenti kyç për nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe, në vitin 1999. Vulin i bëri komentet pasi vizitoi një zonë pranë Nishit, ku po zhvillohen xhirime të një seriali për ngjarjet e janarit 1999 në Reçak.

Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe Radio Televizioni i Serbisë po punojnë për 6 episode, me titullin: “Dosja e Kosovës”. Aty trajtohet kronologjia e ngjarjeve dhe fati i civilëve e policëve në Kosovë, në vitet 1998-2001.

Për Vulinin, “pretendimi për masakrën është fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.

Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i dëshmuar botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e këtij brezi është t’i tregojë botës se na bombarduan e na bënë kriminelë, falë gënjeshtrave, por gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër. Serbët nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta. Nuk do t’i lejojmë të shpikin të vërteta për ne, se e vërteta është në anën e popullit serb.

E në fakt, masakra ndryshoi historinë e Kosovës. Më 15 janar 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak, në komunën e Shtimes. Në atë kohë, kryetari i misionit vëzhgues të OSBE-së, Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Europë, William Walker, foli për krim kundër njerëzimit, pasi vizitoi vendin ku ndodhi masakra.

Krimi tërhoqi vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, që ndërmori hapa për të ndaluar shkeljen masive të të drejtave të njeriut në Kosovë. Më 24 mars 1999, nisën edhe bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe, në një fushatë që 78-ditore.

Nuk është hera e parë që Vulin mohon Masakrën e Reçakut. Për Beogradin zyrtar, ky përbën një qëndrim të përsëritur. Masakra e Reçakut ishte pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër Sllobodan Millosheviçit e të tjerë zyrtarëve serbë. Me vdekjen e Millosheviçit, gjyqi u ndërpre dhe asnjë nga të akuzuarit nuk u dënuan për krimet e kryera në Reçak.