Sociale

Pula të ngordhura përgjatë bregdetit të Ranës së Hedhun, reagojnë institucionet

Bregdeti i Ranës së hedhur në Shëngjin, është mbushur me pula të ngordhura. Ende nuk dihet nëse shpendët janë hedhur në këtë zone, apo janë sjell nga dallgët e detit.

Deri tani, në terren nuk janë parë asnjë nga institucionet përgjegjëse për të verifikuar situatën, e cila ndodh në një kohë që gripi i shpendëve ka prekur dhe vendin tonë e deri me tani kemi mijëra pula të ngordhura.

Nuk është përcaktuar shkaku i ngordhjes së këtyre shpendëve, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, deri tani në qarkun e Lezhës nuk ka asnjë rast me gripin e shpendëve.

Në njoftimin e fundit, më 29 mars, Ministria e Bujqësisë bëri me dije se situata me gripin e shpendëve po monitorohej në të gjithë vendin, ndërsa janë 5 vatra aktive, përkatësisht në Korçë, Divjakë, Durrës, Vlorë dhe Dibër.

Rastet e para me gripin e shpendëve në vend janë regjistruar më 19 mars, ku më së shumti janë prekur pulat e fermave, por ka patur edhe raste të regjistruara në pulat e oborrit.

Hoqën shpendët e ngordhur pas denoncimit në media, përgjegjësi i veterinarisë Lezhë: E bëtë alarmante, vetëm 4 shpendë të dekompozuar gjetëm (të tjerët i kishin ngrënë qentë)

Institucionet e Lezhës shkuan të hiqnin shpendët e ngordhur në bregdetin e Ranës së Hedhun pas denoncimit në media, ndërsa për përgjegjësin e sektorit të veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve Lezhë, situata u bë alarmante pa arsye. Për mediat, Dedë Rama pranoi se informacionin e kishin marrë nga mediat, teksa shton se në vendngjarje ishin gjetur vetëm 4 shpendë të dekompozuar.

“Informacioni na erdhi nga media. U krijua gjendje alarmante. U gjetën vetëm 4 pula qe nuk ka lidhje me fermerët e Lezhës. Kemi thirrur institucione të tjerë të bashkisë. Shpendët ishin të dekompozuara”, tha ai.

Bëhet me dije se në bregdet shpendët e ngordhur janë konstatuar që dje, ndërsa sot u gjetën 5 shpendë, por rezulton se kanë qenë më shumë, pasi disa i kanë ngrënë qentë një ditë më parë.