Rajoni

Qeveria e Kosovës quan “vendim të drejtë”, heqjen e pengesave të lëvizjes në urën mbi Ibër!

Qeveria e Kosovës e quan “të drejtë” nismën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e plotë për qarkullim të urës mbi lumin Ibër. Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, jugore me shumicë shqiptare dhe veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot janë dy komuna të veçanta. Për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu deklaroi:

Vendimi për heqjen e të tilla pengesave është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj.

Dy ditë më parë, anëtarët e Këshillit të Komunës së Mitrovicës së Veriut miratuan kërkesën për hapjen e urës. 16 prej tyre u zëvendësuan dhjetorin e kaluar, pasi ata që ishin dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit masiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri. Kjo në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe, me të Kosovës.

Deri tani nuk bëhet e ditur si dhe kur mund të zbatohet ky vendim.

Reagimet nga pala serbe dhe Bashkimi Europian

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit theksoi se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.

Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës, padyshim që do të rezultojë me incidente në zonë, çka duket se është dhe qëllimi i Prishtinës. Ura ku kanë ndodhur më shumë se 1 mijë sulme me motive etnike nga jugu në veri është simbol i vuajtjes së popullit serb. Synimi i Prishtinës është të dëbojë serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban ku ata kanë mbijetuar në një numër më të madh.

Nga KFOR-i (misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë), EULEX-i (misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, Lista Serbe kërkoi që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, reagoi duke thënë se kryeministri Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët, dëshiron konflikte me çdo kusht”. Vuçiç nuk jep asnjë provë mbi këto pretendime.

Mirosllav Lajçak, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi theksoi se “tani nuk është momenti i duhur” për hapjen e urës

Palët të respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe “vijat e kuqe”!

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, dialog që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Palët kishin rënë dakord që ura të hapej për qarkullim të makinave, por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.