Aktualitet

Rama për policinë: “Zero tolerancë krimeve mjedisore!”/Reagon dhe për rastin e Anila Hoxhës!

Zero tolerancë për krimet mjedisore! Kjo iu kërkua sot Policisë nga kryeministri Rama gjatë prezantimit të Buxhetit për Ministrinë e Brendshme, në Parkun Olimpik. Rama u shpreh se për t’i dhënë fund njëherë e mirë abuzimeve do të hiqen patrullat e territori do të monitorohet nga kamera inteligjente.

Këto janë krime mjedisore dhe Policia e Shtetit duhet të verifikojë në territor jo vetëm vendndodhjet e skenave të krimit, por edhe protagonistët e tyre e pastaj, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Mjedisit, thirret për të vepruar më tutje. E patolerueshme që në Pyllin e Sodës të mbushet një sipërfaqe me 3 mijë metra katror zhavorr, për të cilën duhen kamionë të tërë që shkojnë e vijnë dhe Policia as mos të shikojë, as mos të dëgjojë gjë.

Sipas kryeministrit, “satelitët do të vendosin në dispozicion të institucioneve, të dhëna në kohë reale nga terreni”.

Keni dëgjuar dhe keni parë shumë gallatë dhe humor me satelitët, por ne do të hedhim satelitin e parë në muajin mars e do të kemi në dispozicion të institucioneve shtetërore të dhëna në kohë reale, përditë. Do të kemi të dhëna mbi ndërtimet pa leje dhe kjo nuk do të jetë më e varur nga sa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e Policisë, të cilët i kanë sytë hapur katër kur shkojnë e i bien në qafë ndonjë familjeje në ndonjë fshat dhe mbyllin sytë kur hidhet zhavorr plazheve të Shqipërisë.

Rama bëri të ditur se do të ngrihet qendra e re kundër krimit kibernetik, si dhe do të shtohen programe kundër krimit financiar e kibernetik në Akademinë e Shkencave. Ndër të tjera, përmendi uljen e moshës në Polici.

Eshtë ulur mosha e Policisë së Shtetit, por duhet ulur edhe më shumë. Duhet rishikuar raporti mes Policisë së Shtetit dhe Illyrian Guard duke vendosur në dispozicion të tyre bashkëpunim, që në një moshë të caktuar, efektivët pa e humbur statusin, të spostohen për të bërë një punë më të lehtë në Illyrian Guard, në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Gjithashtu, shefi i qeverisë dënoi rastin me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha e cila gjatë raportimit për një vrasje në Qafë Mollë u shty nga një efektiv që u pezullua. Kryeministri vuri në dukje se në raste të tilla do të ketë zero tolerancë e do të përjashtohet nga radhët e uniformave blu, kushdo që hedh hije mbi punën e Policisë së Shtetit.

Por për opozitën, Rama poshtëron Policinë e Shtetit. Deputeti demokrat, Ervin Salianji shkruan:

Të poshtërosh Policinë e Shtetit duke e përdorur si sfond të propagandës politike, bën që çdo polic të ndihet i fyer, i poshtëruar, i pambrojtur! Në këto kushte, Policia duket si instrument për qëllimet e KM dhe jo strukturë shtetërore për të luftuar krimin! Njësoj siç i keqpërdor për sfond i detyron në fushatë elektorale për të bashkëpunuar me llumin për të siguruar vota për Rilindjen, prandaj krimi ka marrë revansh dhe vrasjet e stilit mafioz ndodhin dhe nuk zbardhen, droga dhe krimi bëjnë kërdinë, grabitjet dhe dhuna është e përhapur kudo duke e kthyer territorin në zotërim dhe sfond të kriminelëve!