Aktualitet

Rama: S’do të lëshoj pe derisa t’i kem votat në parlament!

Ndërkohë, pavarësisht thirrjeve të opozitës për të vazhduar protestat, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “nuk do të lëshojë pe”. Nga Përmeti, kreu i qeverisë tha se do të vazhdojë të qeverisë vendin deri sa t’i mbarojë mandati dhe të ketë vota në Parlament. Duke u ndalur te protestat, Rama tha se qëllimi i tyre është shpëtimi i Berishës dhe i Bashës nga drejtësia dhe jo integrimi i vendit.

“Kjo që na ka ndodhur javën e fundit nuk duhet t’iu kushtojë njerëzve të këtij vendi. Të shtunën u kërkua përmbysja dhe u predikua dhunë. Pamjet e së shtunës dëmtojnë Shqipërinë dhe çdonjërin që jeton në këtë vend. Dhuna e së shtunës dëmton rrugëtimin tonë evropian. Çuditërisht, në vitin 2019 Shqipëria u kërcënua nga fantazmat e vitit 1997. Por, për çfarë u bë e gjitha kjo? Për të shpëtuar Saliun nga drejtësia, apo karrigen e Lulit. Nuk e di nëse ka njeri që e beson se opozita e bën këtë për integrimin e vendit. Ata bënë çmos që të pengonin Reformën në Drejtësi. Shkuan të godisnin murin e Kryeministrisë me kokë, por ata nuk janë demokratë. Kam marrë shumë mesazhe nga njerëzit që më kërkojnë të mos lëshoj pè, por s’kam asnjë pe për të lëshuar. Kam një detyrë për të kryer nga kontrata me shumicën e shqiptarëve dhe ajo është të qeverisim vendin derisa të mbarojë mandati ynë, derisa të kemi votat në Parlament”, deklaroi Rama.