Aktualitet

Reforma në Drejtësi, ambasadori i BE-së: SPAK-u i pashqetësuar nga presionet politike!

Nga Shkodra, ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato foli për Reformën në Drejtësi dhe presionet e politikës. Gjatë një takimi me studentë, diplomati u shpreh se “kjo reformë jo vetëm garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por gjithashtu siguron që ky sistem të jetë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve”. Gonzato theksoi se nëse Shqipëria dëshiron të integrohet në BE, duhet që vendi të luftojë korrupsionin. Më tej shprehu besim në sistemin e drejtësisë shqiptare.

Qëllimi i reformës ishte pikërisht ai që t’u jepte njerëzve besim, besim te institucioni, besimi veçanërisht te drejtësia e Shqipërisë, sepse kjo është ajo që na duhet për të promovuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, të sigurohemi që njerëzit të duan të investojnë në Shqipëri, por edhe të sigurohemi që njerëzit të marrin drejtësinë.

Ambasadori Gonzato u shpreh se SPAK-u po sjell rezultate në luftën kundër korrupsionit, por theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet lënë të bëjë punën pa presione.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që SPAK-u, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë. Nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, është e qartë rruga që duhet ndjekur. Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete. Pra, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare. Mendoj se thjesht duhet ta lëmë të bëjë punën e vet dhe të shohim se në çfarë do të sjellë.

Sa i takon pyetjes nëse prokurorët e SPAK-ut me në krye Altin Dumanin kanë pasur presione, ambasadori i BE-së tha se Prokuroria e Posaçme është rezistente ndaj tyre.

Shikoni, reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur e prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z.Dumani. Ai është i bindur që po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë e të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë.