Aktualitet

Reforma në Drejtësi, Uashingtoni zyrtar: Mbresëlënëse!

Me trajnime dhe takime që janë duke përforcuar mesazhin se Uashingtoni po vazhdon që ta ndjek me vëmendje Reformën e Drejtësisë në vendin tonë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijon vizita disa ditore e numrit një të SPAK-ut, Altin Dumani. Me kreun e Prokurorisë së Posaçme udhëtuan edhe prokurorë e oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH.

Uashingtoni i konsideron “mbresëlënëse” rezultatet e Reformës në Drejtësi, duke treguar me veprime se “askush nuk është mbi ligjin”. Pas takimit në Amerikë me kryeprokurorin e posaçëm, Altin Dumani, ndihmës sekretari i Shtetit, Jim O’Brien shkroi në platformën X:

I kënaqur që takova shefin e SPAK-ut. Mbresëlënëse të shohësh Reformën në Drejtësi që jep rezultate reale për popullin shqiptar, duke treguar me veprime se askush nuk është mbi ligjin. SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm reformën në drejtësi, thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Altin Dumani takoi edhe ish-ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, e cila aktualisht mban postin e zv.ndihmës sekretares kryesore për Çështjet Europiane në Departamentin e Shtetit, DASH.

Me hetimet që po zhvillon, me ngritje të akuzave që nuk po kursejnë as figura kyçe të politikës shqiptare, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK duket se po kërkon të lëvizë në mënyrë të ngadaltë, por të sigurt drejt objektivit që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë veçoi në vitin 2019.

Selia diplomatike e SHBA-ve foli qartë kur tregoi mënyrën si do të funksiononte kjo strukturë: Si një institucion që do të godiste paprekshmërinë pa kursyer askënd, përfshirë zyrtarët e lartë të shtetit, si edhe ish-zyrtarët, duke vepruar në mënyrë të pavarur e të pa ndikuar nga politika.