Rajoni

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, serbët refuzojnë!

Serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë. Kjo u bë e ditur nga Lista Serbe në një njoftim në Facebook ku shkruan:

Të nderuar qytetarë, dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe atyre që e mbështesin, se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin fals të ardhshëm në organizatën, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e turpshëm në dëbimin e serbëve.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon dhe mbështetjen e Beogradit zyrtar, e akuzoi kryeministrin Albin Kurti për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur po ai, iu mohoi serbëve të drejtën për pensione e paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi serbët e po ashtu pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës….

Lista Serbe iu referua një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti ndaloi përdorimin e dinarit për pagesa me para, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Krahas kësaj, Kurti dëshiron të sulmojë edhe Serbinë me këtë regjistrim, me disa kërkesa për dëmshpërblime të luftës, gjë që e pengon edhe më shumë çdo serb të jetë pjesë e këtij procesi.

Lista Serbe iu referua deklaratës së Kurtit, i cili më 30 mars tha se autoritetet e Kosovës po përgatiten që Serbia të akuzohet si shtet përgjegjës “për krimet e kryera gjatë luftës e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

Regjistrimi i popullsisë iu mundëson qytetarëve edhe deklarimin e dëmeve nga lufta e viteve 1998/1999. Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk u zhvillua në katër komunat me shumicë serbe në veri e ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Bojkoti ndodhi pasi Beogradi iu kërkoi banorëve serbë në Kosovë, të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK. Sipas regjistrimit më 2011-ën, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion. Rreth 25 mijë janë serbë. Por, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100 mijë pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ndërkohë, vitin e kaluar është shtyrëdy herë të tjera. Sipas Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi. Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.