Bota

Rëndohet bilanci, 4.651 viktima në Gaza e mbi 14 mijë të plagosur/Izraeli mesazh të fortë Iranit!

Bombardimet izraelite në Gaza, shkon në 4 mijë e 651 numri i viktimave e në mbi 14 mijë i të plagosurve sipas autoriteteve lokale. Hamas akuzon Izraelin se “po njolloset me krime lufte” dhe “genocid”. Nga ana tjetër, Izraeli thotë se “plani i Iranit është që t’i sulmojë nga të gjitha anët”. Në një intervistë për britaniken “Daily Mail”, ministri izraelit i Ekonomisë, Nir Barkat paralajmëroi:

Nëse zbulojmë që duan të sulmojnë Izraelin, jo vetëm në të gjitha frontet tona, por ne do të sulmojmë kokën e gjarprit, Iranin.

Barkat iu referua dhe Hezbollahëve libanezë, aleatë të Teheranit:

Nëse na hapin një luftë në veri, ne do t’i fshijmë nga faqja e tokës!

Ushtria izraelite konfirmon se prej 7 tetorit kur nisi lufta, në duart e Hamasit ende janë 212 pengje që mbahen në Gaza. Mes tyre ka civilë e ushtarakë. Një zëdhënës tha se “grupi militant po ushtron terror psikologjik” kundrejt familjarëve të të rrëmbyerve. Po ashtu, ushtria izraelite doli me një deklaratë për parandalimin e një atentati në territorin e Izraelit. Forcat e armatosura hebraike vranë një person dhe plagosën tre të tjerë kur eliminuan një celulë terroriste të Hamasit e të Xhihadit Islamik.

Ata vepronin në një mjedis të nëndheshëm në xhaminë al-Ansar të Jeninit. Kjo është një karakteristikë e Hamasit, që fshihet në zona me civilë, pranë xhamive, shkollave e spitaleve që të mbrohet nga popullata e pa’armatosur e nuk heziton të dhunojë objektet e kultit mysliman.

Policia izraelite njofton se deri tani janë identifikuar trupat e 1 mijë e 75 izraelitëve të vrarë në sulmin e Hamasit, në jug të Izraelit. Mes tyre janë 769 civilë e 307 ushtarë.

Për modalitetet e hyrjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës është krijuar një “trekëndësh strategjik” mes presidentëve amerikanë dhe egjiptianë, Joe Biden e Abdel Fatah al Sisi, si dhe kryeministrit izraelit, Benyamin Netanyahu.

Këtë e theksoi zëdhënësi ushtarak, Daniel Hagari duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari nëse u kontrolluan kamionët me ndihma që dje kaluan në vendkalimin kufitar të Rafahut mes Egjiptit e Gazës. Hagari bëri të ditur se u “inspektuan nga egjiptianët e amerikanët” dhe më pas u shoqëruan në Rripin e Gazës “për t’u siguruar që i shkuan agjencisë së OKB-së për refugjatët”.

Pikëkalimi i Rafahut mbetet i mbyllur pas hapjes së përkohshme të një dite më parë e që lejoi lëvizjen e rreth njëzet kamionëve me ndihma humanitare për banorët e Rripit të Gazës. Në anën egjiptiane, ende shihen kamionë të ndaluar me ndihma.

“Lufta gjithmonë është disfatë, vëllezër ndalni!”. Sot gjatë meshës në Vatikan, Papa Françesku e bëri thirrjen ndërsa fliste për luftën në Izrael dhe Palestinë e për të gjitha konfliktet e tjera. Ati i Shenjtë kujtoi ditën e agjërimit, lutjes dhe pendesës, të premten më 27 tetor: një orë lutjeje për të kërkuar paqen në botë.

Ndërkaq, patriarkët dhe drejtuesit e kishave të Jeruzalemit shprehën dënimin e tyre të fortë për sulmet ajrore izraelite në kishën e Shën Porfirit në Gaza dhe theksuan se nuk largohen nga Rripi i Gazës.